Lajme

Kush e vrau Admir Muratajn? Flet për herë të parë Ministri i Brendshëm

04/20/2019 09:02
nga:A. R.

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj është pyetur këtë të premte se kush e ka vrarë Admir Muratajn, personin që dyshohet se qëndroi prapa gjithë gabitjes së Rinasit më 9 prill e mbeti i vrarë nga një “dorë” që ende nuk dihet.

I ftuar në “Repolitix”, Lleshaj thotë se nuk mund të thotë se kush e ka vrarë Muratajn pasi janë hetimet ato që do e nxjerrin në dritë. Lleshaj ka tentuar të shpjegojë sërish deklaratën e tij se “grupi mori një goditje shkatërruese”, por nuk tha se nga dora e kujt erdhi kjo goditje, pasi vrasja e Admir Muratajt mbetet ende një mister i pazgjidhshëm.

“Zërat në media është e kotë të komentohen, ose media fantazon ose media ka marrë informacione sekrete nga një dosje që është në hetim. Sa i përket dosjes nuk kam dijeni, nuk kam kompetencë të kem dijeni për dosjen. As mund t’i pohoj as ti mohoj ato që thotë media. Unë besoj se janë fantazi se kam besim tek integriteti i njerëzve që po merren me hetimin. Ka pasur një deklaratë të policisë që i mohon këto. Kam thënë që banda ka marrë një goditje shkatërruese sepse njëri nga anëtarët e saj ka mbetur i vrarë. Është një supozim i madh që ministri i fut hundët në dosje, e para nuk më lejohet, e dyta nuk jam i interesuar, sepse nuk më intereson në nivelin edhe personal. Kureshtja ime orientohet në drejtime të tjera. Nuk mund të them se kush e ka vrarë Admir Murataj, kjo është një çështje që do të dalë nga hetimet.

Kush e ka vrarë Admir Muratajn? Haxhi Mileti (Sali Berisha) thotë e kanë vrarë shokët e tij… Unë nuk e di se kush e ka vrarë. Pra nuk i kam unë në dorë faktet. Por nëse bëjmë analizë them se s’kishte arsye ta vrisnin shokët.Vrasja e tij është ende e panjohur përsakohë nuk është mbyllur hetimi. Kureshtja e madhe në këtë drejtim, i mirëkuptoj gazetarët, por kam parë një diskutim malinj në ditët e para që u munduan të rrëmojnë se kush nga policët e ka bërë këtë”, tha Lleshaj.