Lajme

Kush do të jetë Kryetar i PDK-së në Mitrovicë?

04/28/2019 15:42
nga:A. R.

Në Degën e Kadri Veselit / Bedri Hamza apo Eset Ujkani

Edhe në Mitrovicë pritet të jetë garë e fortë se kush do të udhëheq me Degën e PDK’së. Në garë janë: Bedri Hamza dhe Eset Ujkani. Nuk dihet ende se kush e ka përkrahjen e Kadri Veselit i cili e ka vendlindje Mitrovicën.

Ministri i Financave, Bedri Hamza pritet të matet sot në garën zgjedhore me Eset Ujkanin për Shef të PDK’së në Mitrovicë.

Hamza përballet me Ujkanin, i cili për një kohë ishte edhe Drejtor i Trepçës.

Betim Gjoshi, Zëvendëskryetar i Komisionit Zgjedhor të PDK’së, ka thënë se nuk ka asnjë incident dhe gjithçka po shkon në rregull me zgjedhjet në Mitrovicë.

“Është duke u mbajte procesi zgjedhor. Kandidatët janë: Bedri Hamza dhe Eset Ujkani. Nuk ka asnjë incident”, ka thënë Gjoshi, për Express, të dielën.

Ai ka thënë se sot nuk është duke u zhvilluar asnjë Kuvend tjetër i Degëve përpos zgjedhjeve nëpër nëndegë.

Ndryshe, në Mitrovicë, PDK ka humbur pushtetin në dy palë zgjedhjet e fundit. Agim Bahtiri i AKR’së është Kryetar i qytetit të ndarë pasluftës.

Në zgjedhjet e fundit, PDK kishte garuar me Valdete Idrizin, e cila s’i ka hyrë farë garës për Kryetare të Degës së PDK’së në Mitrovicë.

Ndryshe, Partia e Kadri Veselit në të paktën dy degë ka zgjedhur dy Kryetarë me dosje penale. Qemajl Mustafa është votuar për Kryetar të Degës së Gjilanit. Ai përballet me akuza nga Prokuroria për kohën sa ka qenë në krye të qytetit. Sikurse i Gjilanit, edhe Kryetari i Degës së Klinës, Sokol Bashota, akuzohet prej Prokurorisë për vepra penale gjatë kohës sa ka udhëhequr me Komunën.

Kryetari i PDK’së prej se ka hyrë në këtë parti ka promovuar idenë se njerëzit me prencedentë penal nuk do të jenë pjesë e PDK’së.

Madje, kishte thënë se asnjë që përballet me akuza për korrupsion nuk do të ketë vend në PDK.

Ndërkohë, nëpër disa degë të PDK’së, lufta më e madhe është duke u bërë ndërmjet njerëzve të Kadri Veselit dhe ata të Hashim Thaçit.

07/17/2019 08:46

Arrestohet i dyshuari për vrasjen e 11 vjeçarit në Fushë Kosovë