Lajme

Kusari: Vizita e shefit të CIA-s tregon seriozitetin e sigurisë në rajon

08/22/2024 23:54
nga:G C

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin e Kosovës, Mimoza Kusari – Lila, në një lidhje të drejtpërdrejtë nga Çikago për RTK-në, e ka cilësuar vizitën e shefit të CIA-s, William Burns në Kosovë dhe në rajon si çështje sigurie.

Kusari – Lila ka thënë se kjo vizitë e rëndësishme e dëshmon seriozitetin e ngjarjeve të sigurisë në rajon dhe evitimin e potencialit të ndonjë konflikti.

“Për situatën në vendin tonë, ju e dini se Qeveria e Republikës së Kosovës, kryeministri, zyrtarët e lartë e presidentja kanë ngritur alarmin disa herë duke pasur parasysh se janë mbi 48 baza ushtarake dhe policore të Serbisë pranë kufirit me Kosovën. Duke pasur parasysh që ne kemi qenë pre e një agresioni terrorist vitin e kaluar, tani në shtator do të bëhet një vit, dhe të gjitha këto duke përfshirë armatimet e vazhdueshme, provokimet, ngjarjet në Bosnje-Hercegovinë, në veçanti paralajmërimet e Republikës Sprska se mund të nisin apo inicojnë procedurën e shkëputjes, tregojnë që pas kësaj nuk kemi të bëjmë vetëm me një shtet, në këtë rast vetëm Serbia, por gjithashtu pas saj dhe në mbështetje të plotë është shteti rus, shteti agresor që sikur mos të ndalej në Ukrainë, do t’i vazhdonte sulmet edhe në vendet e tjera”, ka deklaruar ajo.

Tutje Kusari – Lila ka thënë se ajo që është e ditur është se siguria në Ballkan ndërlidhet me kontinentin e Evropës.

“Pas pushtimit të paprovokuar të Ukrainës nga ana e Rusisë, çdo implikim tjetër në aspektin e hapjes së një konflikti do të ishte në favor të Rusisë dhe mbrojtësve të saj”, ka thënë ajo.

Shefja e GP të VV-së i ka quajtur spekulime zërat për mundësinë e mos prezencës së qëllimshme të kryeministrit Albin Kurti në periudhën kur ndodhi vizita e shefit të CIA-s.

“E gjitha kjo është një spekulim i madh në tërësi për faktin se edhe nga takimet zyrtare që ka pasur në Prishtinë, nuk ka pasur asnjë komunikim lidhur me arsyet e vizitës. Madje, ai vet ka deklaruar se vizita ka qenë e befasishme për gjithë rajonin, jo veç për Kosovën. Andaj të thuash se pjesëmarrja e paracaktuar muaj më parë e kryeministrit për dy ditë në Konvetën Demokratike, ka qenë i lidhur me këtë vizitë, është tërësisht spekulative”, ka thënë ajo.

Shefi i CIA-s, Burns është takuar sot me presidenten Vjosa Osmani. Në takim ka qenë edhe ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier. Vizita e tij në Kosovë erdhi pas shefi i inteligjencës amerikane vizitoi edhe shtetet e tjera të rajonit.