Lajme

Kurti thumbon PSD-në: VV është forca e vetme socialdemokrate në Kosovë

06/13/2018 09:22
nga:Q F

Mbrëmë, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka mbajtur një fjalim të gjatë për nder të 13 vjetorit të themelimit të kësaj partie.

Para simpatizantëve të mbledhur në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë, fjalimin Kurti e fillon me përmendjen e tri ditëlindjeve: të shkrimtares me famë botërore Ana Frank, Lëvizjes Vetëvendosje, dhe deputetes Saranda Bogujevci.

“Sot, VETËVENDOSJE!-a e ka ditëlindjen, sot çlirimi i Kosovës e ka ditëlindjen, sot vajza e vogël dhe shkrimtarja e madhe, Anne Frank, që nuk e mbijetoi okupimin nazist sikur ditari i saj i famshëm, po ashtu e ka ditëlindjen, por sot edhe Saranda e ka ditëlindjen – Saranda Bogujevci e ka ditëlindjen, një shqiptare e shumëvuajtur që aq shumë përfaqëson në Kuvendin e Republikës njerëzit e shumëvuajtur të vendit tonë”, ka thënë Kurti.

Kreu i VV-së vazhdon rrëfimin e tij për themelimin e Lëvizjes Vetëvendosje.

Thotë se themeluesit e saj, përkundër që ishin pak, të gjithë kishin botëkuptime të ndryshme shkruan Gazeta Blic.

“13 vite më parë, kur e nisëm Lëvizjen, ishim shumë pak. Edhe ata që ishim, vinim nga përvoja të llojllojshme, kishim botëkuptime të ndryshme, e ide jo doemos të njëjta. Por rruga në të cilën po futej Kosova, rruga e shkeljes së interesave të popullit, rruga e shitjes së vendit, prej pushtetarëve që donin veçse pushtetin e vet, na e bëri domosdoshmëri angazhimin tonë politik”, ka thënë Kryetari i Vetëvendosjes.

Kurti vazhdon duke thënë se Kosovës përgjatë këtyre 13 viteve i kanë ndodhur shumë të këqija, por që përmend se shumë të tilla janë ndalur nga Lëvizja Vetëvendosje.

“Gjatë këtyre 13 viteve shumë gjëra të këqija i kanë ndodhur Kosovës por edhe shumë të tjera janë parandaluar, janë ngadalësuar apo janë zvogëluar. Privatizimi ka përparuar, i shoqëruar me korrupsionin tipik për këtë fenomen. Gjithnjë e më pak prodhim, gjithnjë e më pak vende pune, gjithnjë e më shumë miliona për zhvatësit që kontrollojnë qeverinë dhe korporatat në Kosovë”, tha Kurti.

Ai vazhdon t’i thumbojë disa parti tjera socialdemokrate.

Thotë se Vetëvendosje është forca e vetme socialdemokrate në Kosovë.

“Sot, Lëvizja VETËVENDOSJE! është forca e vetme socialdemokrate dhe kombëtare në Kosovë. Sigurisht ka të tjerë që e përdorin këtë emërtim. Por ata që shesin territorin dhe sovranitetin e vendit nuk mund të jenë kombëtarë, e ata që vjedhin tenderë e punësojnë njerëz në këmbim të votave, nuk mund të jenë socialdemokratë”, ka thënë Albin Kurti.

Kurti vazhdon duke thënë se Vetëvendosje është i vetmi organizim politik që mund dhe do ta bëjë Kosovën me ushtri të saj.

E përmend edhe Bashkimin Kombëtar, thotë se ata do e shtrojnë udhën e bashkimit kombëtar.

“Me insistimin tonë kombëtar dhe me dijen e shumë profesionistëve dhe ekspertëve, ne jemi ata që do ta bëjmë njëmend Kosovën me ushtri. E me diplomacinë tonë, ne do t’ia shtrojmë udhën bashkimit kombëtar, si vendim demokratik që do të merret me referendum”, ka thënë Kurti.

Politikani më i votuar aktualisht, thotë se Lëvizja Vetëvendosje në zgjedhjet e ardhshme do të dalë partia e parë.

“Neve mbase po na vonojnë ca, por ne gjithsesi do të fitojmë. Ata, veç vonim se shpëtim nuk kanë. Në zgjedhjet e ardhshme ne dalim partia e parë. I ftojmë të gjithë njerëzit e ndershëm e të ditur të këtij vendi, u bëjmë thirrje qytetarëve dhe fshatarëve, grave e vajzave e burrave e djemve që të na bashkohen në Lëvizje e të anëtarësohen në VETËVENDOSJE!”, ka thënë kreu i Vetëvendosjes./Gazeta Blic/

10/21/2018 14:43

VV: Rasti Maxhuni dëshmi e fshehjes së krimit