Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka pritur të enjten në takim përfaqësueset e Forumit Ekonomik të Grave (FEG).
Siç ka njoftuar Zyra e Kryeministrit, në këtë takim është vlerësuar bashkëpunimi i Qeverisë me organizatat e shoqërisë civile, e veçanërisht me ato të grave.
“U theksuan mundësitë e angazhimit të përbashkët, për të forcuar më tej zhvillimin ekonomik dhe për të eliminuar pabarazitë sociale që pengojnë pavarësimin ekonomik të grave dhe vajzave”, thuhet në njoftimin e ZKM-së.
Po ashtu, në njoftim thuhet se gjatë takimit Kurti me përfaqësueset e FEG-it ka diskutuar edhe lidhur me ligjin e punës, me fokus në dispozitat e lejes së lehonisë dhe asaj prindërore.
Kryeministri Kurti ka ritheksuar punën dhe përkushtimin e Qeverisë për të drejta dhe mundësi të barabarta për të gjithë, pa dallim.
Ai ka përmendur vendimin e së mërkurës për 1882 studente, vajza e gra që u shpallën fituese të bursave në fushat e Shkencës, Teknologjisë, Inxhinierisë e Matematikës (STEM).
Në këtë takim morën pjesë përfaqësueset e FEG: Saxhide Mustafa nga Riinvest, Igballe Rogova nga RrGK, Gjyljeta Devolli nga RrOGRAEK, Nora Latifi-Jashari nga GAP, Luljeta Demolli nga QKSGj si dhe Rrezarta Krasniqi nga D4D.