Lajme

Kurti takon Denis Mukwege: Një hap për drejtësi për të mbijetuarat e dhunës seksuale

10/16/2024 22:48
nga:G C

Kryeministri Albin Kurti ka mirëpritur sot në Kryeministri Dr. Denis Mukwege, laureatin e Çmimit Nobel për Paqe, i cili është një burim frymëzimi për miliona njerëz anembanë botës dhe mbështetës i përpjekjeve për drejtësi dhe paqe në Kosovë, raporton GazetaBlic.

Gjatë takimit, ata diskutuan për mbështetje ndaj të mbijetuarave  të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.

Kurti theksoi përkushtimin e tij dhe të organizatave të grave për procese të drejtësisë tranzicionale që janë të përqendruara te viktimat dhe të ndjeshme ndaj gjinive. Ai njoftoi gjithashtu miratimin e Strategjisë për Drejtësi Tranzicionale, e cila është hera e parë që pas luftës i jep prioritet këtyre çështjeve.

“Jemi duke dokumentuar krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë, dhe jemi të lumtur që zonja Shyrete Tahiri Sulimani është angazhuar në Institutin e krimeve të kryera gjatë luftës,” tha Kurti.

Ai theksoi forcën e jashtëzakonshme që kanë treguar të mbijetuarat e dhunës seksuale, duke ndërtuar një jetë të re përballë traumave të rënda.

“Krahas mbështetjes, kemi mirënjohje dhe përulësi për to,” përfundoi Kryeministri.