Lajme

Kurti takon bashkatdhetarët në Hamburg, diskuton për zhvillimet në Kosovë dhe mbështetjen për diasporën

06/19/2024 12:19
nga:G C

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është pritur mbrëmë nga bashkatdhetarët tanë, në Hamburg të Gjermanisë.

Në një bashkëbisedim, ai i njoftoi bashkatdhetarët për zhvillimet në Kosovë dhe për qeverisjen.

Siç thuhet në njoftimin për media, Kurti veçoi procesin e regjistrimit të popullsisë, që për herë të parë është bërë në formë online përmes e-diaspora, vendimet e qeverisë në javën e kaluar, për të ndarë tre milionë euro për mbulimin e policës kufitare për bashkatdhetarët që vijnë në Republikën e Kosovës dhe tre milionë tjera për garantimin e kredive të bizneseve që hapen nga bashkatdhetarët tanë me qëllimin që bashkatdhetarët që kanë biznese në diasporë të kthehen dhe të investojnë në vend dhe miratimin e Ligjit për Zgjedhjet, i cili mërgatës iu mundëson votimin fizikisht në ambasada dhe konsullata ose votimin në postë të brendshme.

“Kryeministri gjithashtu përmendi programin e Ministrisë së Punëve të Jashtme për Diplomaci Qytetare, përmes së cilit shumë profesionistë të rinj po vijnë në Kosovë dhe po kontribuojnë në institucionet shtetërore me ekspertizën dhe kualifikimet e tyre. Për rolin dhe kontributin qenësor të mërgatës si dje ashtu edhe sot, kryeministri u shpreh pafundësisht falënderues e mirënjohës”, thuhet në njoftim.

Në Hamburg të Gjermanisë, kryeministri Kurti po shoqërohet nga ministri për Kthim edhe Komunitete, Nenad Rashiq dhe zëvendësministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Daulina Osmani.

Atje po qëndron me ftesë të Përfaqësuesit të Posaçëm të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin.

“Vizitën në portin e Hamburgut për të parë nga afër Sistemin e Skanimit të Ngarkesave me Rreze X në port, kryeministri do ta bëjë së bashku me përfaqësuesin Special të Qeverisë së Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor Manuel Sarrazin, për të vazhduar më pas edhe në stadiumin e Hamburgut në mbështetje të kombëtares shqiptare sot në përballje me Kroacinë, në kuadër të EURO2024”, thuhet në njoftim.