Tre kandidatët për deputetë të LVV-së në Shqipëri për zgjedhjet e 25 prillit kanë mbajtur një tubim në Tiranë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti përmes një video mesazhi është paraqitur në këtë tubim.
Ai u shprehë se do të donte të ishte më shpesh i pranishëm në këtë fushat për të ndihmuar tre kandidatët por për shkak të gjendjes së vështirë të shëndetësisë publike në Kosovë nuk ka mundur.
“Do të kisha dashur që të isha më shpesh i pranishëm në këtë fushat për të ndihmuar bashkëpuntorët e miqtë e mi, Boikeni, Kreshnikin e Ilazin, por gjendja e vështirë në të cilën e gjetëm shëndetësinë publike në Kosovë na ka imponuar që nga njëra anë të kemi agjendë të ngjeshur e nga ana tjetër të marrim masa që të mbrojmë jetën e qytetarëve.”
“Uroj që të gjithë ju të jeni mirë me shëndet e ta kapërcejmë këtë pandemi që po sfidon gjithë botën. Por me zemër kam qenë pranë fushatës suaj e pran jush, ju kam mbështetur dje e sot e do ju mbështes edhe nesër. Ne na bën bashkë një ide e projekt që as nuk nis e as nuk përfundon me ne, është ideja kombëtare e cila do të vazhdoj të bëj bashkë shqiptarët e ndershëm e idealist edhe ne kur mos të jemi këtu.”
“Unë si kryeministër i Kosovës do të respektoj maksimalisht e do të bashkëpunoj me secilën qeveri që populli i Shqipërisë do ta zgjedh, por si aktivistë e kryetar i LVV-së ju do të jeni miqtë e mi më të ngushtë për ta shpërndarë mesazhin tonë politik”, tha ndër të tjera në video mesazhin e tij Kurti.