Lajme

Kurti për AP: Flet për afganët që do të vijnë në Kosovë

08/17/2021 18:32
nga:Gazeta Blic

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se janë dy aspekte se pse Kosova do të pranojë qytetarë nga Afganistani pas zhvillimeve atje.

Ai në një intervistë për Associated Press, ka sqaruar se njëri është aspekti human, kurse tjetri ai i ndihmës së SHBA-së.

“Në këto moment të vështira për qytetarët afganë, shteti i Kosovës, qeveria jonë, po solidarizohet me refugjatët dhe kjo është arsyeja pse ne kemi vendosur që t’u ofrojmë atyre strehim dhe mbrojtje në Republikën e Kosovës”, ka thënë Kurti, transmeton Klankosova.tv.

“Nga njëra anë është një aspekt humanitar që ne duam ta respektojmë. Është për keqardhje ajo që po u ndodh këtyre njerëzve dhe ne duhet t’i ndihmojmë. Ne jemi duke treguar solidaritetin tonë njerëzor me ta. Nga ana tjetër, është aspekti politik, sepse ne duam që ta ndihmojmë aleatin tonë SHBA-në, duke ofruar strehim për disa refugjatë nga Afganistani. Ne jemi duke dhënë ndihmë të vogël në këmbim që të një kontributi të jashtëzakonshëm që SHBA-ja bëri për vendin tonë dhe njerëzit tanë gjatë luftës dhe pas saj”.

Kurti është shprehur se nuk mund të jepen detaje se sa do të jetë numri i qytetarëve afganë që do të vinë në Kosovë dhe as ku do të vendosen.

“Dy ekipe të shtetit tonë kanë qenë në kontakt dhe në komunikim të rregullt që nga mesi i korrikut në diskutim të logjistikës, aspektit të sigurisë dhe çështjeve të tjera organizative të pritjes dhe strehimit të refugjatëve afganë”.

“Për momentin nuk mund të japim shumë detaje lidhur me numrin dhe vendet ku ata do të strehohen sepse është çështje e dhimbshme nga aspekti human, por po ashtu e ndjeshme nga aspekti i sigurisë. Sidoqoftë, bashkë me autoritetet amerikane ne jemi të bindur që gjithçka do të shkojë më së miri dhe që këta refugjatë nga Afganistani të cilët ne do t’i pranojmë do të jenë nëpër mjedise të sigurta në vendin tonë”.