Lajme

Kurti: Pas më shumë se 50 vitesh, digat e reja do të zgjidhin krizën e ujit dhe përmbytjeve në Kosovë!

11/28/2024 23:21
nga:G C

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar se pas përfundimit të digës së Kuqicës në Skenderaj, e para e këtij lloji në Kosovë pas më shumë se 50 vitesh, është duke u punuar për projektimin e katër digave të tjera, raporton GazetaBlic.

Kurti theksoi rëndësinë e këtyre projekteve për furnizimin më të qëndrueshëm me ujë të pijshëm dhe ujitjen e tokave bujqësore, si dhe për menaxhimin e përmbytjeve që po rriten për shkak të ndryshimeve klimatike.

Ai shpjegoi se Kosova ka një mungesë uji gjatë thatësirave, por një sasi të madhe uji gjatë periudhave të shiut të madh, që shkakton dëme të konsiderueshme.

“Prandaj, projekti i digës së Kuqicës dhe digat e tjera janë të domosdoshme për të siguruar një menaxhim më të mirë të resurseve ujore dhe për të parandaluar përmbytje”, thotë Kurti.

E plotë:

Krahas digës së Kuqicës në Skenderaj, që është e para e kësaj natyre në Kosovë pas më shumë se 50 vjetëve, kemi filluar projektimin edhe të katër digave të tjera.

Ato në të njëjtën kohë do të na shërbejnë për furnizim më të qëndrueshëm për ujë të pijshëm dhe ujitjen e tokave bujqësore dhe për menaxhim të përmbytjeve si rezultat edhe i ndryshimeve klimatike.

Kemi mungesë të ujit për pije dhe për ujitje gjatë thatësirave dhe kemi shumë ujë kur nuk na duhet e që pastaj na shkakton dëme nga vërshimet. Prandaj projekte si ai digës së Kuqicës janë të nevojshme dhe jashtëzakonisht të rëndësishme.