Lajme

Kurti nuk do t’i shkarkojë ministrat e LDK-së, kërkon të punojnë në luftimin e Coronavirusit

03/26/2020 15:37
nga:Norë Kelmendi

Qeveria në krye me Albin Kurtin u rrëzua nga një mocion i mosbesimit që u iniciua nga Lidhja Demokratike e Kosovës e i cili në Kuvend mori 82 vota pro.

Pas rrëzimit të Qeverisë, kryeministri në detyrë Albin Kurti në orët e mesnatës shkarkoi zëvendëskryeministrin e parë, Avdullah Hotin.

Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu ka thënë për Ekonomia Online, se Kurti nuk a ka ndërmend t’i shkarkojë ministrat e LDK-së, derisa njoftoj se bashkëpunimi ka qenë i mirë ndërmjet tyre.

Kryeziu njoftoi se ministrat do të vazhdojnë punën e tyre. Mes tjerash, ai kërkoi që luftimin e virusit Corona të bëhet së bashku, pasi siç tha ai kjo pandemi nuk ka motive politike.

“Ministrat në largim brenda kabinetit të qeverisë Kurti do të vazhdojnë punën e tyre dhe janë të thirrur që të plotësojnë të gjitha përgjegjësitë me të cilat janë ngarkuar, sidomos në raport me luftimin e pandemisë Covit-19. Ne i kuptojmë zhvillimet politike, mirëpo gatishmëria jonë për luftimin e kësaj pandemie, nuk do ta humb vëmendjen, pavarësisht zhvillimeve politike dhe të gjithë ministrat në largim janë pjesë e kabinetin qeveritar do të vazhdojnë punën e tyre me po të njëjtin përkushtim”, ka thënë ai.

Kryeziu ka garantuar se institucionet do të vazhdojnë punën e tyre sikurse dje, për aq kohë siç tha ai, nuk do të ketë një vendim tjetër të Kuvendit.

“Neve na vjen keq për vendimin e Kuvendit. Qeveria e Kosovës buron nga Kuvendi dhe atij i jep përgjegjësi dhe i nënshtrohet Kuvendit. Pavarësisht kësaj, ju garantoj se të gjitha institucionet bashkë me ministrat në largim brenda kabinetit qeveritar do ta vazhdojnë punën sikurse dje, për aq kohë sa nuk ka një vendim tjetër nga Kuvendi”, tha ai.

Kurse, Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, gjatë ditës ka shkruar se nuk do të tërheq ministrat e partisë që drejton, edhe pse Qeveria është rrëzuar të mërkurën mbrëma.

Ai tha se është në vullnetin e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti t’i mbajë ose t’i lirojë nga detyra, siç bëri mbrëmë me zv.kryeministrin e parë, Avdullah Hoti.

“Në kohën kur po ballafaqohemi me Pandeminë e COVID-19, si Kryetar i LDK-së, nuk do t’i tërheq njëanshëm ministrat dhe zëvendësministrat e LDK-së nga detyrat e tyre në Qeverinë në dorëheqje. Pasi që koalicioni VV-LDK ka rënë mbrëmë me mocion votëbesimi me votat e mbi 2/3 e deputetëve, mbetet në vullnetin e Kryeministrit në detyrë, z.Kurti, se a do të vazhdoj të punoj me ta gjatë kësaj gjendjeje emergjente, derisa të zgjedhet qeveria tjetër, apo do të bëj veprime tjera, ashtu siç e liroi z. Avdullah Hoti nga pozita e zëvendëskryeministrit të parë mbrëmë para mesnate!”, ka shkruar Mustafa.

Prishja e koalicionit mes VV-së e LDK-së erdhi pas një shkarkimi të njëanshëm që Kurti  i bëri ministrit të partnerit të koalicionit, Agim Veliut.

Qeveria Kurti dje u bë qeveria më jetëshkurtër në historinë e Kosovës, duke u rrëzuar veç 51 ditë pas formimit të saj.