Lajme

Kurti: Nga intervenimi i NATO-s u godit dhe u dorëzua Serbia

03/24/2019 11:58
nga:A. R.

Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka thënë se janë mbushur 20 vjet sot nga bombardimet e NATO-s mbi forcat serbe.

“E treta e vërteta: perëndimi ndërhyri ushtarakisht kundër Jugosllavisë së Tretë e cila ishte bërë tërësisht e Milosheviqit”, ka shkruar Kurti në rrjetin social Facebook.

Shkrimi i plotë:

20 vjet u mbushën sot nga bombardimet e NATO-s mbi forcat serbe. E treta e vërteta: perëndimi ndërhyri ushtarakisht kundër Jugosllavisë së Tretë e cila ishte bërë tërësisht e Milosheviqit.

Janë tri arsye kryesore pse NATO hyri në luftë para dy dekadash:

1. Sepse presidenti i Jugosllavisë , Slobodan Milosheviq, nuk pranoi ta nënshkruante dokumentin e Rambujesë (ndonëse ai ishte mjaft i favorshëm për Serbinë). Kjo ishte në kontrast me marrëveshjen e Daytonit e cila e kishte fuqizuar Milosheviqin brenda (si pushtet) e jashtë (si personalitet).

2. Që Kosova të mos bëhej Bosnje. Me Srebrenicën në mendje dhe Reçakun para syve, nuk mund të lejohej përsëritja e gjenocidit në Evropë duke qëndruar duarkryq aleanca më e fuqishme në historinë e njerëzimit. Edhe kredibiliteti global i NATO-s dhe perëndimit ishin në pyetje.

3. Që Maqedonia të mos bëhej Kosovë. Vazhdimi i luftimeve midis UÇK-së dhe forcave serbe nuk do të mund të mbahej për shumë gjatë i lokalizuar në Kosovë. Shqiptarët ishin nën sulm mizor dhe përfshirja e Maqedonisë në luftë e bënte kalimin nga rreziku lokal në paparashikueshmëri rajonale (më së paku).

Dita e parë dhe e fundit e këtij intervenimi 78 ditor ishin më të mirat. Sepse u godit Serbia dhe sepse u dorëzua ajo. Midis këtyre dy çasteve kemi mesatarisht nga 5 masakra në ditë kundër shqiptarëve anembanë Kosovës. Në këtë pranverë populli i Kosovës do të përkujtojë mijëra 20 vjetorë, të dhembjes e pikëllimit për humbjet e vuajtjet, të krenarisë e shpresës për vendosmërinë dhe ardhmërinë.

06/24/2019 22:56

Tuna do t’ua ndreq natën me këto fotografi!