Lajme

Kurti: Në këtë vit ka qenë shansi historik për bashkimin kombëtar

10/09/2019 23:30
nga:A. R.

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka deklaruar se shansi ideal për bashkimin mes Kosovës dhe Shqipërisë ka qenë në fillim të viteve të 90-ta. Ai ka thënë se kjo nuk do të mund të arrihej në mënyrë paqësore porse ka qënë shansi historik për realizimin e aspiratës kombëtare.

“Ky bashkim të cilin e kemi dëshiruar ka qenë i mundur të bëhej përnjëherë i shqiptarëve atëherë kur u shkatërrua Jugosllavia në 1991-92, po të ishte një konstalacion tjetër në mënyrë metaforike i tri personaliteteve, Sali Berisha, Ibrahim Rugova dhe Ramiz Alia. Nëse do të mund të bëhej bashkimi i shqiptarëve shansi historik ka qenë 1990, 91. 92.“, ka thënë Kurti në emsionin “Opinion” me Blendi Fevziun, shkruan Gazeta Sinjali.

Shkatërrimi i Jugosllavisë u bë me luftë. Po të ishin Shqipëria dhe Kosova bashkë, në koordinim me mërgatën dhe Bosnjës dhe Kroacinë, ai ka qenë shansi historik i një shteti shqiptar.

Kurti theksoi se sot e kemi shtetin e Kosovës dhe duhet të bëhen hapa të integrimit drejt bashkimit. Ai tha se mënyra më e mirë për realizimin e kësaj aspirate është përmes ekonomisë kombëtare prodhuese dhe eliminimit të barrierave tregtare.

Ai tha se ky integrim nuk ka ndodhur për shkak të përfituesve të kësaj gjendje këndej dhe andej kufirit.

“Kemi përfitues të kësaj gjendje në të dyja anët e kufirit, njerëz që i duan trojet shqiptare si principata të tyre”, theksoi ai.

Sipas tij, elitat politike në Prishtinë dhe Tiranë sillen si feude me qëllim të përfitimit. Ai mori shembull se si një mëditje për të shkuar nga Prishtina në Tiranë është shumë më e shtrenjtë sesa në ndonjë shtet përëndimore.