Lajme

Kurti: Ndryshimit të madh që ndodhi me 14 shkurt do t’i bashkërendohet edhe fitorja masive në zgjedhjet lokale

04/10/2021 14:23
nga:Y I

Lëvizja Vetëvendosje ka shpërndarë një komunikatë për media ku kanë bërë me dije se dje kanë mbajtur një takim të qendrave të Lëvizjes Vetëvendosje, raporton Gazeta Blic.

Në këtë mbledhje u diskutua rreth formimit të institucioneve, zgjedhjeve të 14 shkurtit, situatës me Pandeminë dhe Rimëkëmbjes ekonomike.

Tutje në mbledhje Kurti ka folur edhe për zgjedhjet lokale.

“Ndryshimit të madh që ndodhi përmes referendumit gjithpopullor në nivelin nacional, në vjeshtën e këtij viti do t’i bashkërendohet edhe fitorja masive në komunat e Republikës së Kosovës. Një gjë e tillë, përveçse e nevojshme, është edhe e domosdoshme për t’u kompletuar ndryshimi i gjithmbarshëm.”

Postimi i plotë:

Dje u mbajt mbledhja e Qendrave të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, në të cilën mori pjesë Kryeministri i Republikës së Kosovës, njëherit Kryetari i Lëvizjes, Albin Kurti, Sekretarja Organizative, Vlora Haxhimehmedi, Koordinatori i Qendrave në Kosovë, Valon Hoti dhe Koordinatorja e Qendrave në Mërgatë, Lirika Komoni.
Në këtë mbledhje Kryetari Kurti njoftoi përfaqësuesit e Qendrave të Lëvizjes me rrjedhën e kompletimit të formimit të institucioneve shtetërore në këtë fazë dhe masat e nevojshme e të menjëhershme të ndërmarra për parandalimin e përhapjes së mëtejme të virusit COVID 19, fokusin e qeverisjes tonë për rimëkëmbjen ekonomike të nevojshme në këtë kohë krize ekonomike, si dhe zgjedhjet e ardhshme lokale të cilat na presin në vjeshtën e këtij viti.

U diskutua po ashtu edhe për ecurinë e zgjedhjeve të 14 shkurtit, për fitoren plebishitare të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, si dhe u vlerësua kontributi i jashtëzakonshëm i shtabeve lokale në Qendrat tona gjithandej Kosovës por dhe në Qendrat tona në Mërgatë për arritjen e këtij rezultati. Në këtë takim virtual u theksua domosdoshmëria e ndryshimit të ligjit për zgjedhje, ndryshim ky i cili do ua mundësonte qytetarëve tanë të cilët jetojnë jashtë vendit votimin në ambasada e konsulata. Kjo veçanarisht marrë parasyshë pengesat e mëdha të cilat po ua pamundësojnë shumë qytetarëve realizimin e një të drejte themeltare demokratike, atë të votimit.

Ndryshimit të madh që ndodhi përmes referendumit gjithpopullor në nivelin nacional, në vjeshtën e këtij viti do t’i bashkërendohet edhe fitorja masive në komunat e Republikës së Kosovës. Një gjë e tillë, përveçse e nevojshme, është edhe e domosdoshme për t’u kompletuar ndryshimi i gjithmbarshëm.