Lajme

Kurti merr ftesë për vizitë nga kryeministri i Bangladeshit

03/11/2024 19:04
nga:G B

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka mirëpritur ambasadorin jo rezident të Bangladeshit në Kosovë, Mosharraf Hossain Bhuiyan.

“Marrëdhëniet bilaterale dhe bashkëpunimi në fusha të ndryshme e me interes dypalësh ishin temat kryesore të takimit. Theks iu dha fushës së ekonomisë dhe kulturës”, thuhet në njoftimin e kryeministrisë.

Kurti i uroi mirëseardhje në Kosovë ambasadorit Bhuiyan në vizitën e tij të tretë në vend, derisa e falënderoi për mbështetjen e Bangladeshit ndaj Kosovës dhe për bashkëpunimin në rritje, teksa e njohu me zhvillimet e fundit në vend dhe rezultatet e qeverisjes.

“Mirënjohës për mikpritjen dhe raportet, ambasadori i përcolli kryeministrit Kurti ftesën nga kryeministri i Bangladeshit për vizitë atje”, vijon njoftimi.

Gjatë takimit, u fol për mundësitë dhe potencialin e përmirësimit të shkëmbimeve tregtare në vitet në vijim.

“Këtu u veçua rëndësia për të dy vendet e largimit të tatimit të dyfishtë. Mbi 70 kompani me kapital nga Bangladeshi janë të regjistruara në Kosovë”.

Në takim u fol edhe rreth mundësive të bashkëpunimit në fushën e kulturës, sportit dhe rinisë.

Bashkë me kryeministrin Kurti në këtë takim ishte edhe zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti.