Lajme

“Kurti me veprim hileqar”/ Lekaj: VV me PDK dhe minoritetet mund ta shpërbëjnë Kuvendin, i kanë numrat

05/16/2024 10:29
nga:G B

Deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, në një intervistë për Gazeta Blic, ka folur për situatën aktuale në vend, ftesën e kryeministrit ndaj opozitës, mundësinë e shkuarjes në zgjedhje dhe mundësinë që VV e PDK me komunitete ta shpërbëjnë Kuvendin.

Po ashtu, ai ka folur edhe për cilat parti janë të hapura për koalicion AAK.

Ai e quan në kohën jo të duhur ftesën e Kurtit, derisa vlerëson se ai ka marrë rolin e kryeparlamentarit.

Po ashtu, vlerëson se e gjithë kjo është bërë që të tërhiqet vëmendja nga dështimi i anëtarësimit në KiE, te zgjedhjet e parakohshme, që e sheh si një veprim hileqar të Kurtit.

“Sa i përket ftesës së z.Kurti është një ftesë jo në kohën në kohën e duhur dhe jo për ata që duhet t’iu interesojë qytetarëve dhe opozitës. Ai ka marrë rolin e kryeparlamentarit, se ftesa ka qenë sa i përket mirëmbajtjes së Kuvendit për miratimin e ligjeve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare, ajo është kompetencë e kryeparlamentarit dhe jo e kryeministrit. Ai e ka bërë këtë ftesë jo fort reale dhe që nuk prodhon diçka të mirë për vendin sepse mendoj se e ka për konsum të brendshëm dhe meqë Kosova nuk është anëtarësuar në KiE dhe siç po duket s’mund të futet në rend dite, ai ka dashur që ta zhvendosë vëmendjen e opozitës dhe qytetarëve nga ajo te zgjedhjet e jashtëzakonshme apo parakohshme. Mendoj se ky është një veprim hileqar dhe mendoj se ka qenë një lojë e Kurtit se sa që e ka pasur ftesën e sinqertë”, potencon deputeti.

Lekaj thekson se AAK është pro rrëzimit të qeverisë, për çka kishte iniciuar dhe mocion, por s’janë për shpërbërje të Kuvendit, pasi sipas tij Kurti dëshiron ta bëjë këtë që t’ia hedh fajin Kuvendit për dështimet e tij.

“Sa i përket vendimit të AAK-së është i qartë, ne i kemi vënë nënshkrimet për mocion për Qeverinë Kurti por s’kemi pasur përkrahje nga PDK e LDK dhe nënshkrimet kanë mbetur aty, mu për këtë ne s’jemi për shpërndarje të Kuvendit sepse Kurti po dëshiron që ta hedh fajin e keq menaxhimit të kësaj qeverie për këto 3 vite, e mos punës së tij te shpërbërja e Kuvendit, edhe pse edhe aty janë shumicë parlamentare dhe mendoj se po gabon sepse ne nëse shpërbëhet Kuvendi ai do të dalë me një arsyetim se ma ndërprenë mandatin dhe mendoj se mu për këtë e bën. AAK nuk ka rënë në këto ujëra të z.Kurtit dhe ne mendojmë se Kurti duhet të japë dorëheqje e pastaj të shpërbëhet Kuvendi”, deklaron ai për Gazeta Blic.

Ndërsa, lidhur me mundësinë e shpërbërjes së Kuvendit nga VV, PDK dhe minoritetet, deputeti i AAK-së thotë se Kurti mund ta bëjë këtë pasi i kanë votat.

“Ata i kanë votat, sepse VV me Listën Guxo e minoritetet bashkë me PDK-në i bëjnë dy të tretat dhe s’kanë nevojë për AAK-në e LDK-në, përpos nëse ndonjë deputet i tyre nuk dakordohet, s’dëshiron që të votojë pro, mund të çalojë, përndryshe ata i kanë votat për shpërbërje të Kuvendit”, potencon ai.

Por, Lekaj shton se AAK s’është për shpërbërje të Kuvendit.

“Ne s’jemi për shpërbërje të Kuvendit dhe përderisa s’kemi një vendim tjetër, mbesim për këtë vendim”, thotë deputeti i AAK-së, Pal Lekaj./Gazeta Blic/