Lajme

“Kurti me kërkesën e tretë ka goditur mirë”

06/26/2024 21:36
nga:G C

Profesori universitar, Dritero Arifi ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë mirë që nuk ka pranuar të takohet me presidentin serb, Vuçiq në Bruksel.

Ai ka thënë se Kurti ka bërë veprim të zgjuar, ndërsa ka thënë se nga tri pikat e paraqitura, e treta për dorëzimin e Milan Radoiçiqit dhe grupit të tij që kreu sulmin në Banjskë, ka qenë më e rëndësishmja.

Sipas tij, për dy pikat tjera që i ka përmendur Kurti, e që është edhe zbatimi i marrëveshjeve, ai ka thënë këto janë pjesë e negociatave që Serbia do t’i ketë me BE-në drejt anëtarësimit.

“Pika e tretë ka qenë më e rëndësishme. Kurti e ka goditur mirë, por nuk e ka bërë mirë paralojna. Është deshtë që nga 24 shtatori, me potencu me ngritë në çdo pore të BE-së dhe vendeve anëtare që nuk ka negociata me shtetin që e sponsorizon terrorizmin. Po të ish taku sot Kurti me Vuçiqin në takim e kish pranuar Serbinë si shtet sponsorizues të terrorizmit me të cilin bisedon. Ka bë veprim shumë të zgjuar që nuk është ulur në takim me Vuçiq, është dashur më thanë që nuk ulemi me një shtet që sponsorizon terrorizmin”, ka thënë Arifi në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë 1.

Kurti pas takimit me Borrell e Lajçak, ka përsëritur qëndrimin se normalizimi i raporteve ndodhë vetëm me zbatim të marrëveshjes bazë dhe njohje reciproke.

Ndërsa, Borrell ka thënë se Kurti nuk ishte i gatshëm për takim, duke treguar tri kërkesat që ka paraqitur Kurti për te ecur përpara në rrugën për normalizim.

Vuçiq tha se ai ishte i gatshëm për takim por sipas tij Kurti nuk deshi ose nuk pati guxim për takim.