Lajme

Kurti – Lajçakut: Faleminderit që dole kundër shkëmbimit të territoreve!

05/18/2020 17:32
nga:Norë Kelmendi

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka zhvilluar bisedë telefonike me Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi dhe çështje të tjera regjionale në Ballkanin Perëndimor, Mirsolav Lajçak.

Për këtë bisedë ka njoftuar pak më parë përmes Twitterit vetë Lajçak, derisa, detaje për bisedën kanë dhënë edhe në Qeverinë e Kosovës.

Përmes një njoftimi për media nga qeveria kanë deklaruar se Kurti fillimisht ka diskutuar me Lajçak për situatën me pandeminë.

“Mes tjerash, u diskutua për kalimin në fazën e dytë të lirimit gradual të masave, dhe rezultatet e fundit në menaxhimin e COVID-19 sipas të cilave numri i të shëruarëve është 3-fish më i lartë së numri i rasteve aktive”, thuhet në komunikatë.

Kurti e Lajçak, sipas njoftimit, kanë biseduar edhe për dialogun Kosovë – Serbi. Kryeministri në detyrë e ka falendëruar përfaqësuesin e BE’së për dialog që është shprehur kundër idesë për shkëmbim me territore.

“Në lidhje me dialogun Kosovë-Serbi, Kryeministri në detyrë z. Kurti përsëriti përkushtimin e tij për një dialog me parime, të përgatitur mirë ku e rëndësishme është përmbajtja e marrëveshjes dhe ku qytetarët janë përfitues të saj. Me këtë rast, z. Kurti e falënderoi z. Lajčák për qëndrimin e tij kundër idesë për shkëmbimin e territoreve, ide që nuk ka as mbështetje rajonale”, thuhet në njoftim.

Sipas qeverisë, Kryeministri në detyrë po ashtu parashtroi kërkesën dhe nevojën për një vendim sa më të shpejtë nga Bashkimi Evropian për liberalizimin e vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës.

06/30/2020 11:59

Albin Kurti është fytyrë e një patrioti për këngëtaren e njohur nga Shqipëria