Lajme

Kurti: Ju siguroj se të akuzuarit për sulmin në Ibër–Lepenc janë pjesë e strukturave ilegale serbe dhe të lidhur me Millan Radoiçiqin

12/10/2025 19:02
nga:Genita C

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka reaguar pas ngritjes së aktakuzës nga Prokuroria Speciale të Kosovës ndaj tre personave të dyshuar për shpërthimin terrorist në kanalin Ibër–Lepenc, të ndodhur më 29 nëntor 2024, raporton GazetaBlic.

Kurti tha se hetimet e institucioneve të sigurisë dhe bashkëpunimi me FBI-në kanë siguruar prova se të akuzuarit kanë qenë në vendin e ngjarjes dhe, sipas tij, janë pjesë e strukturave ilegale të Serbisë.

Ai përsëriti deklaratat se sulmi ka ardhur nga Serbia dhe se të dyshuarit janë të lidhur me Milan Radoiçiqin dhe me struktura shtetërore serbe, që sipas tij e kanë planifikuar dhe urdhëruar aktin terrorist. Kurti u shpreh se pavarësisht përpjekjeve të Beogradit zyrtar për të mohuar përgjegjësinë dhe për të dezinformuar opinionin, procesi gjyqësor do të vërtetojë të dhënat e institucioneve kosovare.

Ai falënderoi institucionet e sigurisë, partnerët ndërkombëtarë—veçanërisht SHBA-në—dhe qytetarët për kontributin në garantimin e sigurisë dhe integritetit të Kosovës.

Postimi i plotë:

Pas një bashkëpunimi të shkëlqyer, hetimi të suksesshëm të kryer nga institucionet relevante të inteligjencës dhe sigurisë, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, me datë 8 dhjetor 2025, ka ngritur aktakuzë ndaj tre personave lidhur me shpërthimin terrorist në kanalin e Ibër-Lepencit të datës 29 nëntor 2024.
Siç e kam thënë në konferencën e jashtëzakonshme, pak orë pas shpërthimit të kanalit, në bazë të informacioneve që kam marrë nga institucionet e sigurisë, sulmi ka ardhur nga Serbia, fqinji ynë verior, agresiv e armiqësor.

Tashmë është në rrugë të mbarë hetimi i këtij rasti, ku janë siguruar prova se pikërisht tre serbët e akuzuar ishin në vendin e ngjarjes natën kritike, për ç’gjë falënderoj institucionet përkatëse të Republikës së Kosovës dhe FBI-në nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për punën profesionale të kryer në këtë rast.
Mund t’ju siguroj se, në bazë të informacioneve të inteligjencës, të akuzuarit kanë qenë pjesë e strukturave ilegale të Serbisë dhe janë në mesin e të përfshirëve në realizim të sulmit.

Procesi gjyqësor do ta dëshmojë se të akuzuarit ishin pjesë e strukturave ilegale të Serbisë, të lidhur ngushtë me mikun e Vuçiqit, terroristin Millan Radoiçiq, dhe strukturat tjera shtetërore të Serbisë që planifikuan dhe urdhëruan sulmin terrorist.

Përkundër faktit se Beogradi zyrtar mohonte përgjegjësinë dhe u angazhua fuqishëm përmes veprimeve hibride në dezinformimin e opinionit, duke ngritur dyshime nga më të ndryshmet për përgjegjësit apo motivet e aktit terrorist, aktakuza e ngritur dhe epilogu i rastit, pa fije dyshimi, do të konfirmojnë të dhënat dhe vlerësimet e institucioneve të Republikës së Kosovës, të cilat me siguri të plotë i kam thënë edhe më parë në dy konferenca për medie (më 29.11.2024: https://kryeministri.rks-gov.net/…/adresimi-i…/ dhe më 24.12.2024: https://kryeministri.rks-gov.net/…/adresimi-i-plote-i…/) si dhe gjatë vizitës në Varagë të nesërmen (https://www.facebook.com/share/p/1AaYQ1whaq/?mibextid=wwXIfr).

Integriteti territorial, sovraniteti i shtetit tonë, sundimi i rendit dhe ligjit për të gjithë qytetarët pa dallim, janë vlera jetike për të cilat angazhohemi ditë e natë dhe për të cilat nuk do të ndalemi asnjëherë. Rasti i fundit dëshmon që në Kosovë nuk kalon pa ndëshkim terrorizmi, sado perfid të jetë, dhe nuk mund të kalojë pa u vërejtur dhe dekonstruktuar dezinformimi.

Falënderojmë institucionet e sigurisë, partnerët ndërkombëtarë në krye me ShBA-të, institucionet, aktorët tjerë dhe qytetarët, për kontributin që po ofrojnë për një Kosovë gjithnjë e më të sigurt e paqësore, më të fuqishme në aspektin ekonomik, ligjor, integrues dhe demokratik.