Lajme

Kurti: Hapja e urës së Ibrit s’është kundër askujt, BE-ja e quante ‘simbol të normalizimit’, ua gjej dokumentin

07/18/2024 12:18
nga:G C

“Përmbajtësor” e quajti sot kryeministri Albin Kurti takimin që e pati dje në Qeveri me ambasadorët e vendeve të QUINT-it dhe shefin e zyrës së Bashkimit Europian në Kosovë.

Kurti konfirmoi se çështja e hapjes së urës kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë ishte temë kryesore e diskutimit.

Ai përmendi se hapja e urës është pjesë e një prej marrëveshjeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ndërsa theksoi se nga BE-ja kjo ishte quajtur “është quajtur simbol i normalizimit”.

“Togfjalëshi ‘simbol i normalizimit’ për hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër është përdorur nga vetë Bashkimi Evropian para shumë viteve, diku midis 2014 dhe 2017. Do të mund t’ua gjej atë dokument”, tha Kurti.

Kurti tha se duan që “edhe të zbatohet ligji, edhe të respektohet liria e lëvizjes”.

“Ne patëm një takim përmbajtësor, konsultativ me pesë ambasadorët e QUINT-it dhe ambasadorin e Bashkimit Evropian, me ç’rast diskutuam për situatën e sigurisë në përgjithësi, për zhvillimin e gjithëmbarshëm të Kosovës, e në veçanti për nevojën e hapjes së urës që është një marrëveshje e para shumë vjetëve në Bruksel nga dekada e kaluar. Natyrisht që askush nuk mund të thotë se kjo nuk është një gjë e mirë ose e drejtë, por ne dëshirojmë që edhe të zbatohet ligji edhe të respektohet liria e lëvizjes, por në të njëjtën kohë, edhe të kemi paqe e siguri për të gjithë”, tha ai.

Hapja e urës, Kurti tha se “nuk është kundër askujt”.

“Hapja e urës kryesore mbi lumin Ibër që ne e synojmë nuk është kundër askujt, por është për qytetarët dhe për mallrat e për kapitalin, i ndihmon si njerëzit në të dy anët e Ibrit pa dallim etnie, gjithashtu edhe tregtinë, ekonominë, bashkëpunimin”.

“Janë edhe tri ura të tjera mbi lumin Ibër dhe të ngelet vetëm kjo urë e mbyllur për vetura, nuk mendojmë që është në rregull”, tha ai.

Kurti tha se “edhe kjo urë do të duhej që në mënyrë normale të jetë e hapur”.

“Edhe një herë, kundër askujt, por për të gjithë”, tha ai para gazetarëve.