Lajme

Kurti bie pre e mashtrimit të dy komedianëve rusë, Kastrati: Dështim i madh për sigurinë kombëtare – Pasojat për shtetin janë të rënda

3 ditë më parë
nga:Sh R

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka rënë pre e dy rusëve të njohur si Vovan dhe Lexus, duke menduar se po komunikonte në telefon me presidentin e Letonisë.

Dy komedianët rusë i janë lajmëruar Kurtit duke iu paraqitur si presidenti i Letonisë, Edgar Rinkevics, duke folur për zgjedhjet në Kosovë, për dialogun me Serbinë, emisarin amerikan, Richard Grenell, e çështje të tjera.

Lidhur me këtë çështje në një prononcim për GazetaBlic, ka reaguar profesori universitar, Ardian Kastrati, duke thënë se kjo bisedë është një dështim dhe mega skandal në fushën e strukturave të sigurisë ku prek sigurinë kombëtare.

Kastrati thotë se në këtë rast nuk kanë dështuar vetëm strukturat që janë përgjegjëse për sigurimin e thirrjeve të krerëve shtetëror por ka dështuar vet kryeminsitri Kurti.

“Ky është një dështim i përmasave të mëdha brenda kornizave për menaxhimin e sigurisë dhe verifikimin e informacioneve. Ky është super dështim e mega skandal në fushën e strukturave të sigurisë që prek sigurinë kombëtare l, sepse përfshihen dështimi i serverave, softuerave, dhe kontrollet e thella të verifikimit të informacionit. Në këtë rast, këtu nuk kanë deshtuar vetëm strukturat që janë përgjegjëse për sigurimin e thirrjeve të krerëve shtetëror, por këtu ka dështuar vet Kurti”, tha ai.

Sipas tij, pasojat për shtetin janë të rënda dhe kanë ndikuar negativisht në besueshmërinë ndërkombëtare dhe imazhit të Kosovës në sytë e aleatëve dhe partnerëve tanë.

“Si udhëheqës i qeverisë, ai ka përgjegjësinë që të sigurojë që çdo komunikim i tij të jetë i sigurt dhe i verifikuar. Në këtë rast, pasojat për shtetin janë shumë të rënda. Në radhë të parë është dëmtuar besueshmëria ndërkombëtare dhe imazhi i shtetit në sytë e aleateve e partnereve tanë”, theksoi Kastrati.

Ai e vlerësoi këtë si një humbje të madhe për Kosovën, duke theksuar se ky incident mund të ketë rrezikuar informacione të ndjeshme shtetërore, të cilat mund të përdoren nga aktorë të tretë, përfshirë shtetet armiqësore, për qëllime të tjera politike ose të sigurisë.

“Nëse një udhëheqës i shtetit bie pre e një mashtrimi të tillë banal, atëherë ku mbetet besueshmeria me shtetin tonë në fusha me të ndieshme ku konficialiditeti i informacionit është krucial. Pra, partereve tanë me të drejtë u lind dyshimi për aftësinë e shtetit tonë për të menaxhuar situata të ndjeshme dhe për të mbrojtur informacionet kritike. Gjithashtu, telefonata e Kurtit me humoristët mund të ketë rrezikuar informacione të ndjeshme shtetërore. Këto informacione pastaj mund të përdoren nga aktorë të tretë, siç janë shtetet armiqësore apo grupet e interesit, për qëllime të tjera politike ose të sigurisë”, u shpreh ai.

Ndër të tjera ai thekson se ky incident ka mundur të ndikojë negativisht në marrëdhëniet diplomatike të Kosovës me shtetet e tjera, sidomos nëse gjatë bisedës janë përmendur shtete të tjera.

“Për më teper , nese në një telefonatë të tillë përmendet një shtet tjeter, atëhere mund të ndikojë negativisht në marrëdhëniet diplomatike me atë shtet. Fatkeqesisht, në këtë rast i bie që ka dështuar shteti. Kjo po ndodh sepse adoleshentët politik po udhëheqin me shtetin dhe ata e shohin pushtetin si femijët lodrat në kopsht. Po ua morre e i kritikove fillojne e qajnë”, tha ai.

Kastrati gjithashtu këtë e konsideron si një tjetër dështim të qeverisjes aktuale të Kurtit, ku thekson se po bëhet humor në llogari të shtetit tonë.

“Nën qeverisjen Kurti, në rrafshin e sigurisë na sulmuan me bomba e dinamit, në rrafshin diplomatik asnjë njohje (pervec sot nga Pacolli) dhe tani kemi finalen me këtë telefonate të Kurtit me të cilen u bë humor në llogari të shtetit tonë”, përfundoi Kastrati për GazetaBlic.