Cult

Kur pasioni për jetën është më i madh se rezistenca e gjymtyrëve, historia e Rudinës është një MËSIM i vërtetë për jetën

01/09/2021 17:35
nga:Y I

Lexuesit tanë besnikë e dinë që në fokusin e Living janë shpesh historitë frymëzuese, të cilat na japin një energji pozitive dhe dëshirë për të jetuar apo për të mos u dorëzuar. E tillë do të jetë dhe historia që do ju tregojmë sot, në qendër të së cilës është Rudina Lushaku, një 29 vjeçare nga Prishtina, me aftësi ndryshe. Rudina është vajzë e vetme. Ajo jeton me prindërit në qytetin e lindjes, ku dhe punon në sallonin e saj të bukurisë.

Gjatë intervistës tonë Rudina, që ka një forcë të jashtëzakoshme, më thotë që jeta e saj nuk ka qenë aspak e lehtë sikurse itinerari i lodhshëm që ka kryer për të arritur të ecë vetë. Mirënjohjen më të madhe ajo e ka për prindërit, që e kanë përkrahur dhe nxitur në çdo çast dhe kur ka qenë pranë humnerës.

Përpos prindërve, ajo përmend me shumë kërshëri dhe mësuesen e saj, zonjën Zana Zeqiri, e cila në mënyrë vullnetare për katër vite me radhë i ka dhënë mësim në shtëpi.

Pamundësia për të lë vizur, por dhe për të marrë transportin publik të përshtatshëm për njërëzit me aftësi ndryshe, rrezikuan të linin Rudinën pa shkollimin e duhur dhe të merituar. Megjithatë falë angazhimit të prindërve, por dhe të mësueses së saj, ajo nuk mbeti pas nga shokët dhe shoqet.

Në moshën 18 vjeçare Rudinës i lindi dëshira për të patur pavarësinë e saj dhe për të marrë patentën, një ëndërr e madhe për dikë që deri dje rrezikonte të mos ecte. Kështu me shumë vullnet, emocion, pak frikë dhe shumë mbështetje nga prindërit ajo jo vetëm që mori patentën, por dhe makinën. Kjo e fundit ka qenë dhuratë e një kompanie në Kosovë e cila e ka ndihmuar ekonomikisht që të përballojë edhe operacionet e kushtueshme mjekësore.

Natyrisht në Kosovë e Shqipëri ekzistojnë shumë Rudina, të cilat përballen me shikimet kureshtare, paragjykuese, apo mëshiruese për një aftësi ndryshe, por si të gjithë ne, dhe Rudina e historisë tonë, ka pasur mbështetjen e pakushtëzuar të familjes, të miqve dhe shoqërisë së saj. Vështirësia për të jetuar me aftësi ndryshe shpeshherë nuk lidhet vetëm me mentalitetin, por dhe me mundë sitë logjistike në rrugë, punë, apo në çdo vend tjetër ku njeriu vepron. E njëjta gjë ka ndodhur dhe me Rudinën e cila është detyruar të braktisë vendin paraprak të punës, për shkak mungesës së kushteve.

Por, nga Rudina ka për të thënë shumë më tepër se një histori të trishtë me një fund të lumtur, sepse ajo është një grua që nuk ndalet, që nuk ka frikë të ëndërrojë dhe të guxojë, aq shumë sa ka vendosur që historinë dhe eksperiencën e saj ta ndajë me të tjerë nëpërmjet një blogu lifestyle.

Ideja për blogun i erdhi si shtysë e miqve të saj dhe si rezultat i dashurisë që ka për të bukurën, qofshin këto veshje apo aksesorë. Atë e sheh në foto, të kombinuar me turban, me shalle, me fustane e pallto, afër të cilave ndodhet ajo, elementi mbështetës, paterica, që duket më shumë si një shoqe e mirë se sa një armike e përbetuar.


Pas çdo poze apo foto që Rudina poston, ka një mesazh, për ata që gjykojnë dhe për ata që kanë aftësi ndryshe dhe ndihen të dëshpëruar. Një mesazh që të kujton, si zhurma që bën një kambanë e madhe çeliku, që jeta është e shkurtër dhe që duhet jetuar ashtu si e ndien, pa i vënë kufij vetes, pa u dorëzuar, për mënyrën se si je dhe se si ke lindur.

Jeta e një personi me aftësi ndryshe vështirësohet edhe me shumë kur qyteti apo vendi ku banon nuk ofron lehtë sinë qoftë për të parkuar makinën, qoftë për një ashensor, qoftë për shkallë rrëshqitëse, apo për tualete të dedikuara.

Kjo sipas Rudinës, vështirëson edhe nevojat apo dëshirat më bazike, qoftë dhe kërkimin për vendin më të bukur për atë foton perfekte në Instagram. Prandaj, të mësojmë të edukojmë veten edhe emocionalisht duke rritur empatinë dhe duke u kujdesur për ata që janë pranë nesh. Të kujdesemi t’i japim vëmendje maksimale njëri-tjetrit pa gjykuar dhe pa mëshiruar ata që na duken ndryshe.