Opinion

Kur flamuri s’perceptohet si reflektim i kulturës së nji shoqnie, por supremaci të nji etnie!

02/14/2018 18:53
nga:Petrit Musolli

Kosova s’ka me u ba ma e mirë pa serbët, turqit, boshjnakët, romët, ashkalinjtë, egjiptianët, malazezët… përkundrazi! Njashtu si s’ka me qenë Bashkimi Europian ma i mirë pa Kosovën, Shqipninë, Serbinë, Maqedoninë, Malin e Zi… përkundrazi! Tue u nisun prej nji fakti të thjeshtë, bashkëjetesa me kulturat tjera, në radhë të parë, të ban ma tolerant ndaj vetë kulturës tande!

Meqenëse konceptet shoqnore për shtetin/bashkësitë evoluojnë bashkë me natyrën e njeriut, Kosovën s’duhet kandvështrue nga (para)gjykimet e nji shekulli a ma parë! Kosova s’ka kuptim pa përbamjen e saj kulturore, njashtu si s’kish me pasë Bashkimi Europian! Prandaj, duhet kuptue flamurin tonë si identitet unifikues e përkufizues të shoqnisë sonë! Ai s’përfaqëson, thjesht, gjashtë etnitë përbamëse të vendit tonë! Ai, mbi të gjitha, pasyqron pasuninë tonë kulturore! Njashtu si ai i Bashkimit Europian! Ai s’duhet me na turpnue, përkundrazi, duhet me na krenue! S’na duhet nji flamur me na kujtue kombin/etninë, por po – na duhet nji flamur që valvitë kulturën tonë shoqnore si tanësi! Nji flamur që përbashkon – jo anashkalon – kultura! S’ka asgja ma estetike se kjo! Sepse, s’ka ma estetike sesa nji flamur i hapun për tana kulturat!

Arsyetimet se flamuri shtetnor s’identifikon vullnetin qytetar, tue nënkuptue të shumicës etnike të Kosovës dhe idetë e proklamueme për, ndoshta, nji përcaktim nëpërmjet referendumi duhet kuptue se hapin shumë dilema e, njikohësisht, shumë ‘të drejta’ qytetare për zgjedhjen e tyne se si duen identifikue e reprezentue. Nëse pajtohemi se shumica përban argumentin dhe, rrjedhimisht, zhvleftëson parimin! E, nisun nga kjo premisë, duhet pranue se qytetarët, njashtu, s’janë pyetun as për sistemin juridik/rregullimin shoqnor që duen, si përshmebull, nëse ai duhet qenë i ndërtuem mbi parimet e sekularizmit apo të vullnetit të shumicës?! Ta provojmë me referendum këte vullnet të shumicës! Nëse referendumi qenka çelësi i zgjidhjeve komplekse!

Si e kanë thanë shumë komentatorë botnor, referendumet (për çashtje komplekse) janë rruga e lehtë (shortcut) e popullistave me i manipulue masat, atëherë kur u mungojnë argumentat me arsyetue qëndrimin!

Shoqnitë s’ndërtohen mbi disponimet e ekstazat momentale të masave! Interesat shoqnore debatohen, identifikohen e mandej peshohen dhe shndërrohen në parime! Shoqnitë e kulturueme udhëhiqen prej parimeve e jo disponimeve! Mjafton me kujtue disponimin gjerman për emigrantët nga Siria dhe rezistencën e kancerales Merkel –  thirrun në parimin – e jo nënshtrue histerisë (momentale) që kish kaplue popullin (në shumicë) gjermanë! E, si e ka arsyetue e trumbetue kancelarja Merkel –  parimet s’duhet qenë racore!

#Kosova10