Opinion

“Kuptimi i marrëveshjeve”

09/05/2020 23:15
nga:Fitim Salihu

Natyrisht, marrëveshja nuk është më e mira që e kemi pritur ne. Aty ka pika diskutabile, por e rëndësishme është që nuk përbën asnjë pikë që do ta dëmtonte sovranitetin e Kosovës, përkundër që nuk kanë munguar frikërat e parashikimet e kobshme dhe të zymta për një gjë të atillë.

Fitim Salihu

Marrëveshja e Uashingtonit, e arritur të premten, paraqet një lloj të veçantë marrëveshjesh ku angazhohet Kosova për faktin që ajo as jep shumë dhe as merr shumë. Kosova nuk merr atë që e prisnin optimistët më të mëdhenj – njohjen e menjëhershme nga Serbia – por as rrezikon atë të cilës i druheshin skeptikët më të mëdhenj – ndarjen ose Zajednicën me kompetenca ekzekutive. Natyrisht, kjo nuk e përjashton mundësinë që kjo marrëveshje të jetë shtendosje muskujsh para ndeshjes finale, një dokument-marrëveshjeje të re ku do të sanksionoheshin qoftë pritjet e optimistëve, qoftë ato të skeptikëve. Qoftë të të dy palëve përnjëherësh.

Por, janë tri pika të rëndësishme që spikasin nga Marrëveshja e Uashingtonit e 4 shtatorit.

E para, është e rëndësishme që Kosova e fiton një njohje të re dhe, në fakt, pas shumë kohësh, një njohje prej një shteti me peshë serioze e të konsoliduar në politikën botërore. Njohja nga Izraeli është e rëndësishme edhe për faktin që është njohja e parë që vjen nga një shtet që i takon grupit të shteteve që gjer më sot nuk e njihnin Kosovën me alibinë e presedanit që paraqet Kosova për lëvizjet secesioniste brenda shteteve të këtij grupi. Në këtë mënyrë, për shtetet e tjera të këtij grupi bie poshtë alibia se njohja e shtetësisë së Kosovës nxit lëvizjet secesioniste në ato shtete.

E dyta, kjo marrëveshje është e rëndësishme sepse i jep fund lojës megallomane të Vuçiqit, i cili e projektonte veten si një Tito i vogël, një gjeostrateg që ha me shumë lugë, duke e luajtur të mençurin që përfiton nga rivalitetet gjeopolitike mes Uashingtonit, Moskës e Pekinit. Pika që specifikon ndalimin e bashkëpunimit rreth 5G-së ia mbyll portat “Huawei”-t kinez për të depërtuar në rajon, sikurse pika për diversifikimin e burimeve energjetike që e vështirëson shtrirjen e ndikimit rus përmes gazit të saj natyror.

E treta, për Kosovën është e rëndësishme që është rikthyer në fushëpamjen e amerikanëve dhe që ia doli me sukses ta përballojë mandatin e parë të administratës së Trampit pa ndonjë frakturë serioze diplomatike. Nuk mund ta mohojmë se në dy vitet e fundit Kosova ka rrezikuar një çarje në raportet e saj me Shtëpinë e Bardhë, sikurse nuk mund të mohohet përçapja e Vuçiqit për përafrim me Shtëpinë e Bardhë. Në fakt, bashkë me përafrimin e tij me administratën e Trampit, Vuçiqi ka fërkuar duart Kosova të futej në kurthën e përplasjes me këtë administratë. Përmes kësaj marrëveshje, Kosova e ka zhgënjyer Vuçiqin dhe këto pritshmëri dashakëqija të tij, si dhe njëkohësisht e ka shmangur ndonjë akt bullizmi të këtij presidenti ekscentrik, akte të cilat në këto katër vite nuk i kanë shmangur as shtete më të fuqishme në botë.

Natyrisht, marrëveshja nuk është më e mira që e kemi pritur ne. Aty ka pika diskutabile, por e rëndësishme është që nuk përbën asnjë pikë që do ta dëmtonte sovranitetin e Kosovës, përkundër që nuk kanë munguar frikërat e parashikimet e kobshme dhe të zymta për një gjë të atillë.

Në fakt, këtu lind një problem tjetër që duhet shtruar. Ky problem që na ka shoqëruar këto njëzet vite është mungesa e vetëdijesimit të shoqërisë që marrëveshjet në vetvete ngërthejnë kompromisin. Politikanët, herë për përfitime elektorale e herë për rrahagjoks mesianik, kanë projektuar pritshmëri maksimaliste dhe më pastaj pamundësia objektive për t’i arritur ato u është kthyer si bumerangu mbrapa. Duke e lënë të nënkuptueshme para qytetarëve se në negociata fitohen të gjitha ose asgjë, është krijuar një mendësi nihiliste ku pastaj fitoret e vogla nuk honepsen.

Historia e marrëdhënieve ndërkombëtare dëshmon se edhe atëherë kur njëri shtet fiton luftën në terren dhe e detyron armikun ta nënshkruajë dorëzimin, pala humbëse nuk humb në totalitet, ashtu siç pala fituese nuk fiton në totalitet. E lëre më kur flasim për rastin e Kosovës ku ne nuk kemi fituar ushtarakisht në terren por jemi çliruar përmes ndërhyrjes së jashtme. Ne kemi fituar me diplomaci – prej vitit 1999 e tutje – më shumë sesa që kemi fituar ushtarakisht në terren.

Vetë fakti që në tavolinë ulen dy palë me qëndrime të kundërta tregon se aty nuk fiton vetëm njëra palë. Përndryshe, nëse dy palët do të kishin pajtueshmëri paraprake nuk do të kishte nevojë për negociata. Njëlloj, nëse do të fitonte vetëm njëra palë ajo nuk do të quhej më negociim por imponim.

Kosova e ka një kompromis të madh që s’guxon ta bëjë – kthimin para vitit 2008 dhe para vitit 1999. Po ashtu, gjithsesi do të duhej të shmangej edhe autonomia territoriale brenda Kosovës sepse kjo do të ishte një kancer që do ta gërryente përbrenda Kosovën. Por, Rambujeja dhe Vjena kanë dëshmuar se kompromiset teknike janë të pashmangshme. Për shembull, tranformimi i UÇK-së në TMK pas Rambujesë ose decentralizimi në Vjenë janë paraqitur me nota apokaliptike. Megjithëkëtë, që të dyja janë dëshmuar si paranoja koti. As tranformimi i Rambujesë nuk e ka pamundësuar vite më vonë krijimin e një ushtrie të mirëfilltë, as decentralizimi i Vjenës nuk ka shpënë në ndarje. Kompromiset e vogla në shërbim të arritjes së cakut, të fitores së madhe, nuk janë të dëmshme në diplomaci. Përkundrazi.

09/01/2020 18:10

“PDK-së nuk i konvenojnë zgjedhjet në këto momente!”