Lajme

Kundërthëniet e Kushtetueses në aktgjykimin final

06/02/2020 07:02
nga:E Sh

Gjykata Kushtetuese në aktgjykimin e publikuar të plotë, të hënën, e ka fshirë paragrafin 4 të nenit 95 të Kushtetutës që flet për afatet në rastet kur mandatari dështon t’i marrë votat në Kuvend. “Koha Ditore” ka raportuar të dielën se ky paragraf është jorelevant për situatën aktuale. Ndaj këtij ndryshimi ka reaguar Zyra e Kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, teksa subjekti që i takon ai ka kërkuar nga Gjykata Kushtetuese procesverbalet dhe transkriptimet që pasqyrojnë procesin e shqyrtimit dhe të marrjes së vendimit për rastin e dekretit të presidentit Thaçi. Pas publikimit të aktgjykimit LDK-ja ka thirrur seancën për të mërkurën, në të cilën do të votohen Avdullah Hoti dhe kabineti i tij.

Prishtinë, 1 qershor – Gjykata Kushtetuese e ka publikuar aktgjykimin e plotë për dekretin e presidentit që e mandaton Avdullah Hotin (LDK) për kryeministër, duke e fshirë paragrafin për të cilin “Koha Ditore” ka raportuar të dielën se është jorelevant. Bëhet fjalë për paragrafin 4 të nenit 95 të Kushtetutës, dispozitë që flet për situatën pasi në Kuvend subjekti më i madh politik dështon të sigurojë vota në Kuvend për ta formuar Qeverinë, gjë që nuk ka qenë rasti me LVV-në.

Në pjesën përfundimtare dhe kryesore të aktgjykimit Kushtetuesja ka shkruar: “Gjykata, vendosi…III – Të shpallë me shumicë votash, që DEKRETI (nr. 24/2020) i 30 prillit 2020 i Presidentit të Republikës së Kosovës përmes së cilit “Z. Avdullah Hoti i propozohet Kuvendit të Republikës së Kosovës kandidat për kryeministër për të formuar Qeverinë e Republikës së Kosovës”, është në përputhshmëri me paragrafin (14) të nenit 84 (Kompetencat e Presidentit) në lidhje me nenin 95 (Zgjedhja e Qeverisë) të Kushtetues së Republikës së Kosovës”.

Ndërkaq në vendimin e publikuar të enjten e kaluar ishte përfshirë edhe paragrafi 4.

“Gjykata, vendosi:.. (iii) me shumicë që Dekreti i kontestuar është në përputhshmëri me paragrafin (14) të nenit 84 [Kompetencat e Presidentit] të Kushtetutës në lidhje me paragrafin 4 të nenit 95 të Kushtetutës; (iv) njëzëri që të shfuqizohet masa e përkohshme e përcaktuar përmes Vendimit të 1 majit 2020; dhe njëzëri që të refuzohet kërkesa për seancën dëgjimore”.

Një ekspert i Kushtetutës, që ka dashur të mbetet anonim, i ka thënë gazetës se Gjykata nuk mund të ndërhyjë në përfundimet që tashmë një herë i ka nxjerrë. Sipas tij, kjo përbën vepër penale. Në lidhje me këtë gazeta ka adresuar pyetje edhe në Gjykatën Kushtetuese.

Në përgjigjet që ia ka dhënë gazetës, Gjykata ka thënë se “deklaratat dhe akuzat ‘për falsifikim’ janë të pavërteta dhe të pasakta”.

Kjo sepse, siç ka thënë “Gjykata Kushtetuese, të enjten e kaluar, më 28 maj 2020, ka publikuar vetëm njoftimin me Përfundimet e Gjykatës lidhur me Aktgjykimin KO72/20 dhe jo edhe Dispozitivin lidhur me Aktgjykimin KO72/20”.

Teksti i plotë i Aktgjykimit i publikuar të hënën, sipas Gjykatës, “përmban të gjithë arsyetimin, përfundimet e Gjykatës dhe Dispozitivin e saj”.

“Përfundimet e Gjykatës, të publikuara sot përmes Aktgjykimit (shih paragrafin 546) janë identike me ato të publikuara më 28 maj 2020 (shih paragrafin 1).

Dispozitivi i Aktgjykimit KO72/20 duhet të lexohet në dritën e arsyetimit të këtij Aktgjykimi. Në fund duhet theksuar se Dispozitivi i Aktgjykimit i publikuar sot, po ashtu si edhe Përfundimet e Gjykatës, janë hartuar dhe publikuar me miratimin unanim të gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Përmes kësaj përgjigjeje, të gjithë gjyqtarët e Gjykatës njëherësh u pajtuan unanimisht që edhe të adresojnë spekulimet e pabazuara të sotme në media”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës Kushtetuese dërguar gazetës.