Lajme

Kundërshtari i Kosovës zv/kancelari Strache përfshihet në një skandal me një milionere të rrejshme ruse

05/18/2019 06:50
nga:A. R.

Revista e njohur gjermane “Der Spiegel” bashkë me të përditshmen “Süddeutsche Zeitung”, kanë shkruar sot se në vitin 2016, politikanët e së djathtës ekstreme në Austri, Heinz-Christian Strache dhe Johann Gudenus, ishin takuar në ishullin Ibiza me një ruse, e cila i ishte prezantuar si investitore

Dy politikanët e së djathtës në Austri, Strache dhe Gudenus, të njohur edhe për qëndrimet e tyre proruse dhe pro-serbe, dhe për kundërshtinë e tyre për pavarësinë e Kosovës, sipas dy mediave prestigjioze, i kishin premtuar kësaj ruse tender milionësh, nëse ajo do ti jepte atyre para në fushatën elektorale.

Pas këtij lajmi, opozita në Austri ka kërkuar dorëheqjen e Straches, që është nënkancelar i Austrisë.

Sipas dy mediave prestigjioze gjermane, në korrikun e vitit 2017, Heinz-Christian Strache, që është kryetar i partisë së djathtë populliste të Austrisë, FPO, dhe kolegu i tij partiak Johann Gudenus, gjatë takimit në Ibiza me rusen i kishin premtuar asaj tenderë, nëse do të financonte fushatën e tyre.

Sipas incizimeve, që kanë siguruar revista “Der Spiegel” e Hamburgut dhe e përditshmja “Süddeutsche Zeitung” e Münchenit, thuhet se rusja, e cila duket se është gjysmë lakuriq, i kishte thënë dy djathtistëve se do të investonte një çerek miliardë euro në Austri. Por, gazetarja që e ka shkruar raportin thotë se rusja ishte një milionere e rrejshme.

Të dyja mediat shkruajnë se biseda e tyre kishte zgjatur më shumë se gjashtë orë si dhe ky takim ishte një kurth i përgatitur për Strachen dhe Gudenusin.

Nga diskutimet e dy politikanëve austriakë ishte blerja e gazetës “Kronen Zeitung”, që do ta bënte rusja, me anë të së cilës ata do ti fitonin zgjedhjet. Mandej, ata i thonë ruses se mund ta marrin çdo tender, madje ajo mund të bënte një firmë si “Strabag” (një ndërmarrje e madhe ndërtimore në Austri). “Të gjithë tenderët shtetërorë që i merr Strabagu, do i merrni ju”, citohet ti këtë thënë asaj Strache.

Pas skandalit, partitë opozitare kanë kërkuar dorëheqjen e qeverisë dhe zgjedhje të përkohshme parlamentari. Kancelari Sebastian Kurz ka zgjedhur të hesht.

Ndryshe Strache njihet si një kundërshtar i pavarësisë së Kosovës, ku në shkurt të vitit 2018, gazeta serbe Politika, e kishte parafrazuar atë duke thënë “Kosova është Serbi”, edhe pse më vonë një zëdhënëse e tij e kishte demantuar këtë gjë.

Por, për qeverinë e tanishme austriake thuhet se është më pro rusja në rajon dhe për disa muaj kishte lobuar për një ndarje të Kosovës. Madje, mediat kishin shkruar se Kancelari Sebastian Kurz, komisionari austriak i BE-së Johannes Hahn, ish-diplomati Wolfgang Petritsch. ishin të përfshirë në atë që quhej “korrigjim i kufijve të Kosovës”.