Cult

Kulla e Sylejman Vokshit në prag të zhdukjes

03/09/2019 23:20
nga:Gazeta Blic

Ndërtimet e larta cenojnë kullën e Sylejman Vokshit. Shoqëria civile dhe opozita kundër banesave

Për vite me radhë ky objekt është nën mbrojtjen e shtetit.

E ndërtuar në shekullin XIX, Kulla e Sylejman Vokshit është nën mbrojtjen e ligjit që nga viti 1980 si vlerë e trashëgimisë historike të Kosovës.

Por, historia e kësaj kulle rrezikohen të shuhet, për shkak të ndërtimeve të larta që po planifikohen të ndodhin në këtë pjesë të Gjakovës.

E, për këto ndërtime të larta ka tensione mes shoqërisë civile dhe qeverisjes së Gjinit.

“Për faktin që këto po cenohet ruajtja dhe funksionimi i këtij aseti të trashëgimisë, për faktin që këtu do të ndërtohen disa objekte shumë katëshe ku drejtpërdrejtë do të pengonte pamjen vizuele të Kullës me pjesën e vjetër të qytetit”.

Sipas Krasniqit kjo kullë është pjesë e historisë së vendit.

“Fakti që kulla përmban vlera të shumëfishta historike ne e shohim të arsyeshme të ruhet një aset i trashëgimisë kulturore për faktin që i përket një heroit tonë, Sylejman Vokshit si komandant i forcave të armatosura të Lidhjes së Prizrenit. Për këtë arsye e shohim një pjesë të historisë që duhet të ruhet”.

Afër kësaj kulle veçse kanë filluar të ndërtohen disa banesa, madje Komuna e Gjakovës e ka përkrahur me leje ndërtimi, invesitorët.

E këto ndërtime dhe vendimin e komunës së Gjinit, nuk e kanë ndalur as protestat që janë zhvilluar javën që po lëmë pas.

Po ashtu, ashpër këto ndërtime i kundërshtojnë edhe Opozita.

“Banesat që do të ndërtohen aty janë në një perimetër prej 20 deri në 40 metra larg kullës dhe planifikohet dy ndërtesa në këtë perimetër dhe një pak më larg të cilat ja hupin kuptimin komplet historisë në momentin që ato ndërtohen dhe e rrezikojnë kullën e Sylejman Vokshit”.

Edhe qytetarët e Gjakovës janë pro ruajtjes së Kullës së Sylejman Vokshit si aset kulturor.

“Është obligim moral edhe mendoj se do të punohet për ruajtjen e tyre edhe nga qeveria edhe nga ata komunal”.

Por, ka nga ata që mendojnë se vendimi i komunës është i drejtë.

“S’ma merr mendja edhe komuna është për me e ruajt. Sa dëgjova unë ka me u bo restaurimi i kullës edhe me u ruajt të gjitha pasuritë kombëtare”.

Kulla e Sylejman Vokshit në vitin 2018 është bërë pjesë e listës së Ministrisë së Kulturës, si trashëgimi kulturore me mbrojtje të përkohshme.