Arbër Hoxha do të veshë fanellën e Dinamo Zagrebit, pasi kaloi nga Slaven Belupo në një transferim që shënon një hap të madh për karrierën e tij.
Klubi i tij i mëparshëm ka njoftuar publikisht se ka finalizuar shitjen e mesfushorit kosovar tek kampionët e Kroacisë, në një marrëveshje që cilësohet si një nga më të mëdhatë për klubin.
Transferimi i tij ka tërhequr vëmendjen pasi Slaven Belupo ka vlerësuar lart kontributin e tij, duke e përshkruar si një ndër shitjet më të shtrenjta që ka bërë ndonjëherë.
Dinamo Zagreb, një prej klubeve më të suksesshme në Kroaci dhe një emër i njohur në skenën evropiane të futbollit, nuk ka hezituar poashtu të shfaqë entuziazmin për të mirëpritur Hoxhën. Klubi nëpërmjet një deklaratë zyrtare në rrjetet sociale e ka përshëndetur lojtarin e ri, duke i uruar një karrierë të mbushur me sukses në radhët e tyre.
Ish futbollisti i mirënjohur nga Kosova, Kujtim Shala ishte pjesë e gjigantit kroat nga viti 1989 deri në vitin 1991, duke mbetur në zemrën e tifozëve të kësaj skuadre.
Në një prononcim për ‘GazetaBlic Sport’, Shala tha se transferimi i Hoxhës tek Dinamo Zagreb është shumë i qëlluar dhe e vlerësoi futbollistin kosovar, duke thënë se ka elemente të veçanta dhe është shumë i rrezikshëm për portën kundërshtare.
“Sigurisht që është një transferim i qëlluar, për atë pozitë që luan në të majtë, i shpejtë, i mirë në dribime dhe i rrezikshëm për portën kundërshtare. Besoj se trajneri Jakirovic e ka analizuar mirë Hoxhën. Unë personalisht i uroj shumë fat dhe besoj se në fund Dinamo e Zagrebit do të bëhet kampion”, deklaroi Shala për ‘GazetaBlic Sport’.
Kujtojmë se Shala kishte një karrierë të bujshme edhe tek disa skuadra tjera, kurse tek Dinamo kishte 16 gola nga 45 paraqitje, një klub që ka vlerësim maksimal nga ish futbollisti Shala.
/GazetaBlic Sport/