BLIC.TV

Kujtim Gashi: Vokrri ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për stadiumin e Prishtinës

07/26/2018 17:12
nga:Lorik J

Punimet në stadiumin e Prishtinës, ‘Fadil Vokrri’ pothuajse kanë marrë fund.

Stadiumi është në gjendje të pranueshme nga UEFA, sipas zyrtarëve të Ministrisë së Sportit, shkruan GazetaBlic

Ministri i Rinisë, Kulturës dhe Sportit, z.Kujtim Gashi ka folur për ‘GazetaBlic’ rreth punimeve të këtij stadiumi, kritereve të UEFA-s si dhe për ndeshjen testuese që do të zhvillohet të shtunën me fillim nga ora 20:00.

“Kam pasur një interesim të jashtëzakonshëm si unë ashtu edhe kabineti im për finalizimin e projektit të stadiumit që mban emrin e legjendës së futbollit kosovar, ‘Fadil Vokrri’. Kërkesat e UEFA-s, sportistëve, sportdashësve, klubeve po realizohen dhe jam jashtëzakonisht i kënaqur që jemi dy ditë afër ndeshjes testuese. Inspektorët e UEFA-s janë këtu dhe po shikojnë nga afër punimet. Jam shumë i bindur që mbi 97% e punimeve janë të përfunduara – vetëm çështjet teknike për shkak të motit nuk kanë përfunduar”, tha fillimisht ai.

“Ky është investimi më i madh i pasluftës në sportin kosovar dhe është një nga invenstimet më kapitale. Jam jashtëzakonisht i lumtur që gjithçka ka shkuar mbarë dhe mirë. Një falenderim shkon për të gjithë që kanë punuar këtu dhe shpresojë që zyrtarët e UEFA-s të shtunën ta japin dritën jeshile për lejimin e ndeshjeve. Punëtorët kanë edhe 10 ditë kohë pas ndeshjes që t’i eliminojnë ndonjë gabim të bërë.”

Ai gjithashtu foli edhe për legjendën e futbollit, Fadil Vokrri – pasi siç dihet finalizimi i projektit ka qenë një nga dëshirat e tij kryesore.

“Jam jashtëzakonisht i lumtur që emri i Fadil Vokrrit është në këtë stadium. Vokrri ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm deri te ardhja e kësaj dite dhe ka qenë në përkrahje të vazhdueshme me komunikimin me UEFA-n dhe kjo ka ndikuar që ata të presin. Jam shumë i lumtur, por natyrisht se ndjej mungesë që ai nuk do të jetë me ne të shtunën për ta parë një ëndërr që e ka pas gjithmonë.

Ai në fund ka folur edhe për kapacitetin e stadiumit të Prishtinës.

“Kapaciteti i këtij stadiumi do të jetë rreth 13 mijë ulëse. Besoj që ky kapacitet është i mjaftueshëm për disa vite ky stadium, sepse ne jemi shtet i vogël dhe nuk kemi numër shumë të madh të tifozëve dhe nëse arrijmë të mbushim këto ulëse, atëherë do të jetë sukses i madh”, përfundoi Kujtim Gashi.

/GazetaBlic/L.J/

 

10/11/2018 23:47

Një serb në Graçanicë refuzon të flas për Hashim Thaçin, por shikoni çka thotë për legjendën, Fadil Vokrri