Lajme

Kufiri irlandez mban ‘peng’ marrëveshjen për BREXIT

05/17/2018 14:55
nga:P M

Bashkimi Evropian ende është duke pritur nëse do të ketë përafrim me Britaninë e Madhe rreth çështjes së kufirit irlandez, ka thënë kreu i ekzekutivit të Irlandës, Leo Varadkar. Sipas tij, nëse lufta e brendshme brenda Qeverisë britanike vazhdon rrezikon që Britania të largohet nga BE pa një marrëveshje.

Ngecjen e negociatave për BREXIT dhe dështimin e Theresa May të ofrojë marrëveshje për të shmangur kufirin fizik mes Irlandës së Veriut dhe Republikës së Irlandës, Varadkar, e sheh shqetësim para një takimi me Kryeministren e Britanisë së Madhe në Samitin e Bashkimit Evropian, që po mbahet në kryeqytetin bullgar, Sofje, shkruan ‘The Guardian’, përcjellë Gazeta Blic.

Ai tha se muajin e ardhshëm, Samiti Evropian do të jetë momenti kyç për bisedime, pavarësisht tentimeve të sekretarit për BREXIT, David Davis dhe përfaqësueseve tjerë të Qeverisë britanike për të hedhur poshtë sugjerimet për përkufizim kohor të arritjes së një marrëveshje.

Edhe Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, do të takojë kryeministren britanike në Sofje. Burimet kanë thënë se mosmarrëveshjet brenda kabinetit të kryeministres May, në këtë fazë të vonshme të negociatave, po cilësohen shokuese.

Varadkar ka thënë se Bashkimi Evropian dhe Dublini ende janë duke shikuar nëse do të përafrohen dallimet për të dalur nga kjo rrugë pa krye.

“Këshilli Evropian do të rishikojë progresin në qershor. Kuptohet, afati i fundit për marrëveshjen e tërheqjes është në tetor. Mirëpo, nëse nuk do të arrihet përparim substancial në qershor, mbetet pikëpyetje serioze nëse do të arrihet marrëveshja e tërheqjes”, ka thënë Varadkar.

Qeveria e Britanisë së Madhe është zotuar se do të gjejnë një aranzhim për të shmangur kontrollet kufitare mes Republikës së Irlandës dhe Irlandës Veriore, për të ndihmuar një zgjidhje me Bashkimin Evropian.