Lajme

Kryetari i Supremes flet me kryetarët e gjykatave për pandeminë

09/09/2020 13:31
nga:Sh Xh

Me ftesë të kryetarit të Gjykatës Supreme, Enver Peci, është mbajtur takimi virtual mes kryetarëve të gjykatave dhe kryesuesit të KGJK-së, ku është diskutuar menaxhimi i situatës me pandeminë në aspektin e mbajtjes së seancave gjyqësore dhe koordinimi i aktiviteteve me Këshillin Gjyqësor, bazuar në rrethanat e krijuara, si pasojë e virusit Covid 19.

Kryetari Peci theksoi nevojën e eliminimit të disa dilemave që janë shfaqur tek gjyqtarët rreth mbajtjes së seancave gjyqësore në kohë pandemie, pavarësisht planit emergjent të përpiluar nga KGJK dhe vendimeve përcjellëse.

Sipas tij, është e nevojshme që secili kryetar gjykate të përpiloi rregulla të caktuara të veprimit, duke u bazuar në specifikat e gjykatave që përfaqësojnë.

Po ashtu, kryetari la të hapur mundësinë që si Gjykatë Supreme të dalin në ndihmë të gjyqtarëve me udhëzime, nëse një gjë e tillë, paraqitet e nevojshme.

Kryetari Peci, vuri në pah nevojën e koordinimit mes gjykatave dhe KGJK-së, pasi, pandemia, si në çdo sferë të jetës, edhe në gjyqësorë, ka ndikuar negativisht, duke shtuar numrin e lëndëve të grumbulluara.

Qëndrim i përbashkët ishte se: seancat gjyqësore online mund të mbahen nëse palët paraprakisht pajtohen, ndërsa seancat në gjykata, të mbahen duke respektuar strikt masat mbrojtëse nga virusi Covid 19.

Kryesuesi i KGJK-së, Skender Çoçaj, dhe kryetarët e gjykatave shprehën opinionet dhe shqetësimet e tyre lidhur me menaxhimin e situatës aktuale, duke u zotuar për angazhim maksimal dhe thellim të bashkëpunimit në mënyrë që palët të mos pësojnë vonesa të tjera në gjyqësorë.

Kreu i Supremes falënderoi Ambasadën Amerikane për mbështetjen e vazhdueshme që kanë dhënë për gjyqësorin, dhe për mbështetjen që aktualisht po japin në menaxhimin e situatës me pandeminë, duke mos përjashtuar edhe ndihmën e programit JSSP të USAID.​

08/20/2020 14:56

Supremja me mendim për veprën penale për qytetarët që s’respektojnë masat