Lajme

Kryetarët e Komunave kërkojnë kompenzim të dëmeve nga vërshimet

01/14/2021 12:14
nga:Sh Xh

Nga Asociacioni i Komunave të Kosovës thonë se kryetarët e Komunave kërkojnë kompenzimin e dëmeve nga vërshimet.

Kryetarët e Komunave kërkuan nga Qeveria që të gjendet një zgjidhje për pagesat e parealizuara nga viti i kaluar, përcjellë Gazeta Blic.

Postimi i plotë:

KRYETARËT E KOMUNAVE KËRKOJNË KOMPENZIMIN E DËMEVE TË VËRSHIMEVE NGA FONDI EMERGJENT I NIVELIT QENDROR
Këshilli i Kryetarëve në kuadër të Asociacionit të Komunave të Kosovës, në funksion të koordinimit ndër institucional, mbajti takimin virtual me Qeverinë e Kosovës për të diskutuar lidhur me situatën aktuale nga vërshimet në Kosovë, Buxhetin e vitit 2021 – Fondi për Rimëkëmbje Ekonomike, Investimet Kapitale në Komuna dhe pagesat e mbetura nga viti 2020.
Në takim ishin të pranishëm Kryetarët e Komunave, Kryeministri i Kosovës z.Avdullah Hoti, Ministrja e Buxhetit dhe Financave znj.Hykmete Bajrami, Ministri i Mbrojtjes z.Anton Quni, Ministri i Arsimit z.Ramë Likaj, Zëvendëskryeministri z.Driton Selmanaj, Zëvendësministri i Buxhetit dhe Financave z.Agim Krasniqi dhe nga kabineti i Ministrit të Mbrojtjes z.Jashar Ramadani.
Në hapje të takimit z.Imri Ahmeti Kryetar i Asociacionit të Komunave të Kosovës falënderoi pjesëmarrësit për takim dhe gatishmërinë për të bashkëpunuar mes institucioneve tona në temat aktuale që trajtojnë problemet e Komunave dhe raporti me institucionet qendrore në koordinim për zgjidhjen e tyre. Poashtu Kryetari Ahmeti tha se nëpër komuna kemi shumë dëme si në shtëpitë familjare, në ekonomi dhe me theks në bujqësi. Ai potencoi edhe disa problem që kanë komunat më pagesat dhe investimet kapitale, e të cilat do të diskutohen në këtë takim.
Kryeministri i Kosovës z.Avdullah Hoti në këtë adresim para Kryetarëve të Komunave përgëzoj kryetarët e Komunave për angazhimin e tyre sidomos këtyre ditëve. Ai shtoi se “ne ishim në terren për të parë nga afër këtë situatë të rëndë me vërshimet. Fati që nuk kishim dëme në njerëz por dëmet në shtëpi banimi e bujqësi janë të konsiderueshme. Institucionet lokale dhe ato qendrore treguan se janë të përgatitura dhe në koordinim të plotë për situata të tilla.
Me neve sot është edhe Ministri i Mbrojtjes dhe nëse në komuna kemi problem me ura apo rrugë të pakalueshme duhet të kërkoni ndihmën e Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Tani duhet të evidentojmë dëmet dhe do të shohim formën e kriteret për kompenzim të dëmeve nga Fondi Emergjent që do të themelojmë shpejt si dhe nga Rezervat Shtetërore.
Sa i përket buxhetit të vitit 2021, ne do të shpërndajmë tek komunat 6.7 milion euro për të kompensuar mjetet tek granti i përgjithshëm nga Fondi për Rimëkëmbje Ekonomike dhe nuk do të ketë asnjë zvogëlim të granateve për komunat siç jemi dakorduar edhe vitin e kaluar”.
Kryeministri Hoti tha së tashmë kemi Buxhetin e vitit 2021 të aprovuar dhe mund të filloni punën në lidhjen e Memorandumeve të Mirëkuptimit në projektet për Investimet Kapitale nga institucionet qendrore.
Ministrja Buxhetit dhe Financave znj.Hykmete Bajrami tha se fund vitin e kaluar nuk kemi arritur të kryejmë gjitha pagesat e vitit 2020 si për institucionet qendrore ashtu edhe ato lokale. Këto pagesa nuk janë bërë për të mos u rrezikuar bilanci bankar i shtetit. Fillimisht tani do të kryejmë pagesat e projekteve dyvjeçare e pastaj edhe tjerat por duhet të koordinohemi me Komunat për të gjetur zgjidhje për këto çështje.
Ministri i Mbrojtjes z.Anton Quni, para kryetarëve të Komunave paraqiti një raport të situatës nga vërshimet dhe intervenimet që ka bërë FSK-ja në bashkëpunim me Komunat.
Ministri Arsimit z.Ramë Likaj foli për projektet investime në komuna, angazhimin e Ministrisë në shpërblimin e punës së arsimtarëve por edhe vlerësimin e performancës së tyre për të përmirësuar nivelin arsimor të Kosovës në raportet e PISA-së.
Kryetarët e Komunave në anën tjetër paraqiten në detaje situatën pas vërshimeve në komunat e Kosovës, dëmet në shtëpitë familjare dhe bujqësi por edhe në infrastrukturën publike. Ata kërkuan nga Qeveria që të kompensohen dëmet për aq sa është e mundur meqë buxhetet komunale janë tepër të limituara në këtë drejtim.
Po ashtu Kryetarët e Komunave kërkuan që të gjendet një zgjidhje për pagesat e parealizuara nga vitit i kaluar meqë komunat kanë hyrë në obligime ndaj operatorëve në projekte dhe shërbime të kryera.
Komunat informuan krerët e institucioneve qendrore se ata kanë themeluar Komisionet Komunale për evidentimi e dëmeve dhe këto dëme të kompensohen sa më parë që është e mundur edhe pse i mirëkuptojmë mundësitë e kufizuara që këto dëme nuk mund të paguhen në shumën e plotë.
Në fund të takimit, Këshilli i Kryetarëve vlerësoi angazhimin e Komunave, krerëve të tyre, institucioneve qendrore në këtë situatë. Pastaj pas evidentimit të dëmeve ato të mbulohen nga Fondet qendrore meqë komunat nuk kanë mundësi buxhetore. Kryetarët kërkuan që ky proces të kryhet sa më shpejtë duke pasur për prioritet familjet në gjendje më të rëndë si pasojë e këtyre vërshimeve.