Lajme

Kryeministrit Kurti i kërkohet të informojë Kuvendin para takimit me Vuçiq

12/06/2021 14:13
nga:Q R

Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, po i kërkohet të informojë Kuvendin e Kosovës rreth agjendës së dialogut. Derisa takimi i radhës me Vuçiqin po vlerësohet vetëm  si ‘zbutje e gjakrave’ dhe përmirësim i raportëve në mes të Kosovës dhe Serbisë, shkruan Gazeta Blic.

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra, thotë për ‘Gazeta Blic’, se Kuvendi s’ka ndonjë informacion rreth takimit dhe detajeve mbi të cilat do të zhvillohet ky takim.

“Kuvendi duhet me qenë më shumë i informuar rreth zhvillimeve të agjendës së dialogut dhe mbi cilat argumente mbahet takimi atje, skemi informacione”, deklaron Deliu-Kodra.

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Blerta Deliu 

Ndërkaq, Profesori i marrëdhënieve Ndërkombëtare, Dritëro Arifi, thotë për ‘Gazeta Blic’, se nuk pret që në këtë takim të diskutohen çështje madhore dhe se sipas tij, qëllimi i këtij takimi është zbutje e gjakrave në mes dy palëve.

“Përmendja nga Kurti që mund ta ketë një takim me Vuçiq javën e dytë të dhjetorit është shenjë pozitive se ndëkombëtarët po dëshirojn të kenë një paqe në dialog. Por, nuk besoj që do të ketë tema të mëdha që do të diskutohen po edhe nëse diskutohen nuk do të kete ndonjë vendim të madh në këtë javë, sepse qëllimi është në njëfar mënyre të zbuten gjakrat e dy palëve, pra të ketë një paqe mes dy shteteve”, deklaron Arifi.

Profesori i marrëdhënieve Ndërkombëtare, Dritëro Arifi

Kurse, ish-kryeministri i Kosovës dhe lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka kërkuar unitet dhe jo tërheqje përballë ballafaqimit me Serbinë.

Ai ka thënë se Qeveria Kurti nuk e ka komoditetin të mendojë tërheqjen eventuale të ballafaqimit me Serbinë.

“Kosova sot nuk e ka komoditetin e debateve as për tërheqje, as për dorëheqje e as për zgjedhje të reja. Qeveria e shumicës duhet t’i marrë përgjegjësitë e zgjidhjes së çështjeve të hapura. Për beteja të brendshme politike kurrë nuk është vonë”, ka shkruar Haradinaj në llogarinë e vet në “Facebook”.

Kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj

 

Postimi i plotë i Haradinajt:

UNITET E JO TËRHEQJE PËRBALLË SERBISË

Informatat për situatën e sigurisë në Ballkan, kurrë nuk kanë qenë më shqetësuese në këto njëzet e sa vjet. Kosova sot është përballë sfidave të mëdha që kanë të bëjnë me të ardhmen e saj. Natyrisht sfida më e madhe është marrëveshja finale me Serbinë, e cila ka të ngjarë të hyjë në fazën e vet përfundimtare.

Qeveria e Kosovës dhe kryeministri i saj Albin Kurti, e kanë marrë përgjegjësinë por edhe besimin e elektoratit, për t’i adresuar të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me përmbylljen e shtetësisë së Kosovës.

Kjo qeveri dhe ky kryeministër e kanë kërkuar dhe e kanë marrë mbështetjen e popullit, 50 plus për qind, për t’i zgjidhur temat e mëdha dhe sot nuk e kanë komoditetin që as ta mendojnë tërheqjen eventuale nga kjo betejë. Në të kundërtën kjo do të konsiderohej dezertim në raport me interesin shtetëror e kombëtar të Kosovës.

Kosova sot, më shumë se kurrë ka nevojë për unitet politik, në mënyrë që njëzëri ta mbrojë interesin e vet.

Unë dhe partia ime si dhe grupi parlamentar i AAK-së, jemi të gatshëm që në çdo kohë e në çdo situatë të jemi aleatë të kësaj qeverie e të këtij kryeministri, që në betejën politike me Serbinë, ta mbrojmë Kushtetutën, integritetin dhe sovranitetin e vendit. Kjo duke mos rrezikuar për asnjë moment të drejtat e pakicës serbe në Kosovë.

Kosova sot nuk e ka komoditetin e debateve as për tërheqje, as për dorëheqje e as për zgjedhje të reja.

Qeveria e shumicës duhet t’i marrë përgjegjësitë e zgjidhjes së çështjeve të hapura. Për beteja të brendshme politike kurrë nuk është vonë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar dje se pritet që në javën e dytë të dhjetorit të ndodhë një takim në mes tij dhe presidentit të Serbisë, Vuçiq në Bruksel, por për një gjë e tillë i mbetet të vendosin përfaqësuesi i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Josep Borrell dhe i ngarkuari i BE-së në dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Kurti në një konferencë për media dje, ka thënë se Borrell dhe Lajçak e vlerësojnë nëse do t’ua dërgojnë ftesat ose jo.

“Është diskutuar mundësia e një takimi të mundshëm në javën e dytë të dhjetorit në Bruksel me presidentin e Serbisë. Nuk kam kurrfarë informacioni që ka kushtëzime nga ndokush veç se vlerësimi se a duhet të mbahet një takim i tillë ose jo i përket ndërmjetësuesit, lehtësuesit siç e quajnë ata veten, përkatësisht zëvendëspresidentit të Komisionit Evropian, Josep Borrell dhe emisarit të tij Lajçak. Janë ata të cilët e vlerësojnë nëse na dërgojnë ftesat ose jo dhe jo çfarëdo kushtëzimi i palës tjetër”, tha ai.

Kurti përmendi mundësinë e një takimi me Vuçiqin në javën e dytë të dhjetorit, flasin nga BE-ja: Nuk spekulojmë për skenarë të ndryshëm