Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka qëndruar sot në shtëpinë e Riza Bytyqit.
Përmes një postimi në Instagram, shefi i qeverisë tha se Bytyqi është artisti që me zërin e tij i ka dhënë hijeshi këngës dhe muzikës tradicionale – popullore, folklorike e qytetare të lehtë shqipe.
“Në derë të këngëtarit dhe artistit emblematik të këngës së mirëfilltë shqipe. Të mirëpritur nga familja me instrumentistë dhe këngëtarë të dy brezave pas tij, që të gjithë të talentuar e të edukuar nga ai. Riza Bytyqi është artisti që me zërin e tij i ka dhënë hijeshi këngës dhe muzikës tradicionale – popullore, folklorike e qytetare të lehtë shqipe.
Festivalet e mëdha me çmime sikurse “Okarina e Artë” nga Akordet e Kosovës, koncertet e mbushura përplot me publik e dashamirë të këngës së tij, kontributi shumëvjeçar në Ansamblin e Këngëve dhe Valleve “Shota”, janë disa nga gurët kulturor me të cilët e ka shtruar mirë udhën e tij të një artisti të madh. Nga nisja artistike qysh në fëmijëri e deri më sot ka aq shumë për të treguar, e nga sot siç na e dëshmoi miqësisht, ka po ashtu ende shumë për të dhënë”, ka shkruar Kurti poshtë disa fotografive që ka postuar.
View this post on Instagram