Lajme

Kriza energjetike, Rama: Nëse kemi mundësi do të ndihmojmë sërish Kosovën!

01/05/2022 20:05
nga:Y I

Shqipëria furnizoi me energjie elektrike Kosovën në ditët e ndërrimit të viteve në mënyrë që qytetarët të kishin mundësi të festonin pa brengën se do të kishte reduktime. Megjithatë, kjo mund të mos jetë ndihma e fundit.

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se do të shikojnë mundësitë dhe nëse është e mundur do të ndihmojë sërish Kosovën.

“Kosova është në një situatë kritike që lidhet edhe me një trashëgimi të vështirë të një sistemi jashtëzakonisht problematik të prodhimit, garantimit të energjisë e kështu me radhë, ne kemi dhënë ndihmën tonë për Kosovën. Më vjen mirë që mundëm ta ndihmojmë përsëri pasi patëm një ndërprerje për disa ditë për pamundësinë tonë, por sidoqoftë u rikthyem për të dhënë ndihmën tonë për ditët që ndanin vitet, do të shikojmë në vijim çdo rast dhe sido që të jetë mundësia, sado e vogël ne përsëri do të japim ndihmën tonë për Kosovën”, deklaroi Rama.

Rama tha se fakti që kriza energjetike nuk ndjehet në Shqipëri nuk do të thotë se nuk ka krizë, por është dëshmi se Shqipëria është duke ia dalë në këtë përballje.

“Kriza energjetike është një fakt për të gjithë. Natyrisht, vende të ndryshme po e përballojnë në mënyra të ndryshme. Fakti që në Shqipëri, kriza energjetike nuk po ndihet në familje, nuk po ndihet në biznese, nuk do të thotë që Shqipëria nuk po përballet me një krizë energjetike, përkundrazi, do të thotë që Shqipëria po ia del të përballë krizën energjetike, pa e lënë atë të rrëshqasë në kurriz të konsumatorëve familjarë apo të bizneseve, pasi qeveria u është bërë atyre mburojë sikundër jemi zotuar. Por ama, kjo është një përballje e përditshme, është një përballje që ka kosto, se nuk është një përballje trup me trup, e natyrisht që krizës energjetike nuk mund t’i vëmë një bravë apo t’i ndryshojmë çelësin. Duhet ta përballim”, tha Rama.

​Edi Rama për rritjen e rasteve me COVID: Pasojë e festimeve dhe mungesës së shtrëngimeve