Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka shkuar për vizitë tek familja e ish-presidentit Hashim Thaçi dhe ish-kryetarit të këtij subjekti politik, Kadri Veseli.
Krasniqi këtë e ka njoftuar me anë të një postimi në ‘Facebook’ në llogarinë e tij, teka ka thënë se malli i familjes për të bijtë e tyre është i madh.
“Malli e dëshira për kthimin e bijve të tyre është e madhe, por më e madhe është mburrja e krenaria që kanë për ta. Sepse këto familje kanë rritur djem çlirimtarë, që mision jetësor e kanë pasur dhe e kanë Kosovën e lirë dhe të zhvilluar”, thuhet në postimin e tij.
Vizita e kreut të PDK-së është realizuar pas një-vjetorit të shkuarjes së ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.
Postimi i plotë:
Në Burojë të Skenderajt dhe në Bair të Mitrovicës, vizitova familjet e dy liderëve tanë të pamposhtur – Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli, të cilët tashmë një vit po mbahen në Hagë. Në këto shtëpi ku buron atdhedashuria, në këto familje ku janë formësuar përpjekjet për liri e pavarësi, gjithmonë gjejmë derën hapur e frymëzimin për të mos u dorëzuar përballë sfidave për ta çuar Kosovën përpara.
Malli e dëshira për kthimin e bijve të tyre është e madhe, por më e madhe është mburrja e krenaria që kanë për ta. Sepse këto familje kanë rritur djem çlirimtarë, që mision jetësor e kanë pasur dhe e kanë Kosovën e lirë dhe të zhvilluar.
E vërteta për luftën e pastër të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është e patjetërsueshme e nuk mund të deformohet kurrë. Fitorja e betejës së fundit të Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe bashkëluftëtarëve të tyre për ta dëshmuar pastërtinë e kësaj lufte do të jetë vulë e historisë së lavdishme të vendit tonë.