Lajme

Krasniqi uron punëtorët për 1 Maj, tregon veprimet që duhet t’i bëjë Qeveria për ta

05/01/2022 12:45
nga:G B

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka uruar të gjithë punëtorët në Ditën Ndërkombëtare të Punës.

Përmes një postimi në Facebook, ai ka thënë se ky 1 Maj i ka gjetur punëtorët në Kosovë në krizë me shumë sfida dhe pa ndonjë përgjigje nga Qeveria e Kosovës, përcjell Gazeta Blic.

Krasniqi ka përmendur mos miratimin e Ligjit të Pagave dhe rritjen sipas tij jodinjitoze të pagës minimale e rritjen e çmimeve, si tregues se Qeveria nuk ka vizion zhvillimor për vendin.

Ai ka shtuar se minimumi që Qeveria mund të bëjë është miratimi i ligjeve bazike për punëtorët, ndërsa thotë se rritja e pagave është detyrim i saj.

Postimi i tij i plotë në Facebook:

Të gjithë punëtorët e Kosovës pa dallim, nga bujku që bukën e gojës e fiton me djersën e ballit e deri tek mësuesit tanë që për shumë vite arsimuan breza të rinjsh pa asnjë kompensim, sot meritojnë urimet më të mira në Ditën Ndërkombëtare të Punës.

Megjithatë, 1 Maji i këtij viti, i ka gjetur punëtorët e sektorit privat dhe ata të sektorit publik në një krizë me shumë sfida dhe ende pa ndonjë përgjigje nga Qeveria e Kosovës.

Mos miratimi i Ligjit të Pagave dhe rritja jodinjitoze e pagës minimale për të përballuar shtrenjtimet e mëdha të çmimeve, është tregues i qartë se qeveria aktuale nuk ka vizion zhvillimor për vendin.

Pandemia dhe rritja e çmimeve të të gjitha produkteve, sot e kanë bërë më të vështirë jetën e familjeve kosovare. Prandaj, miratimi i ligjeve bazike për punëtorët dhe të drejtat e tyre, është minimumi që qeveria e Kosovës duhet të bëjë, ndërsa rritja e pagave konform krizës së madhe, është detyrim institucional.