Lajme

Krasniqi thotë se Serbisë duhet t’i kërkohet heqja e barrierave jotarifore dhe ndalja e fushatës kundër Kosovës

06/09/2020 20:26
nga:E Sh

Jeta Krasniqi, nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka thënë se Qeveria e Kosovës është dashur ta kushtëzojë Serbinë me heqjen e barrierave jotarifore dhe me ndaljen e fushatës ndërkombëtare kundër Kosovës.

Sipas saj Qeveria ka rënë për shkak të reciprocitetit, dhe sipas saj kjo ka nxjerrë në pah problemet e brendshme dhe polarizimin politik në Kosovë.

“Për këtë arsye edhe ra qeveria e Kosovës, por besoj se duhet tejkaluar përgjigja nëse duhej apo jo të hiqej. Ajo çfarë kemi parë ishte pozicionimi i Kosovës karshi partnerëve dhe ka nxjerrë në pah problemet e brendshme të skenës politike dhe një polarizim dhe mungesë të një qëndrimi unik rreth dialogut dhe rreth marrëdhënieve që duan të ndërtojnë më SHBA-në dhe BE-në. Porse kemi parë edhe mos unitetin e faktorit ndërkombëtar ku kishim pozicione të kundërta të SHBA-së që ishte për heqjen e reciprociteti dhe Gjermania që ishte paksa më e hapur”, ka thënë Krasniqi, në Deskun e Kohës.

Sipas Krasniqit Kosova ka të drejtë të vendosë masa të tilla reciproke veçanërisht ndaj Serbisë pasi ajo në vazhdimësi ka përdorur barriera jotarifore por ka pasur edhe fushata kundër pavarësisë.

“Por, ne nuk duhet të kemi vendime ‘ad hoc’ dhe jemi para një pozicioni kur në dy vite ka presion shumë të madh ndaj Kosovës. Ne duhet të shohim se e hoqëm reciprocitetin por çfarë kërkuam. Nëse Serbia ishte ajo që e kushtëzoi heqjen e tarifës dhe reciprocitetit dhe ne u përgjigjëm pozitivisht, kërkesat tona ishin që Serbia të hiqte barrierat jotarifore ndaj Kosovës dhe të ndalte fushatën ndërkombëtare kundër Kosovës. Këto nuk ndodhën dhe do të duhej të artikuloheshin nga Qeveria ndaj SHBA-së dhe ndaj partnerëve tanë ndërkombëtarë. Duhet Qeveria patjetër t’i bëjë”, ka thënë Krasniqi.