Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e LDK Rrezarta Krasniqi, ka reaguar ndaj Qeverisë Kurti, për siç e ka quajtur ajo “pabarazinë” ndaj sektorit privat.
Ky reagim vjen pas vendimit për ndarjen e shtesave prej 50 euro për punonjësit e sektorit publik, për muajin janar.
“Pabarazi e plotë. Jo rastësisht edhe sot vazhdojnë të largohen qytetarët nga vendi, të zhgënjyer me punën e keqe të kësaj qeverie”, tha ajo.
Sipas Krasniqit, qeveria ka ndërtuar qasje të denigruese edhe ndaj mediave, duke e ndërlidhur me bojkotin e sotëm të konferencës.
Më poshtë reagimi i plotë:
Qasja shtypëse e Qeverisë Kurti me sektorin privat!
Qeveria Kurti paska vendosur të ndaj shtesa sërish për punonjësit e sektorit publik, duke harruar ekzistencën e atyre të sektorit privat, ani se janë shumicë dhe kontribuesit më të mëdhenj të rritjes së buxhetit të shtetit.
Pabarazi e plotë. Jo rastësisht edhe sot vazhdojnë të largohen qytetarët nga vendi, të zhgënjyer me punën e keqe të kësaj qeverie.
Se sektori privat është problem i kësaj qeverie, u pa edhe qasja denigruese ndaj mediave, duke i lënë në pritje të panevojshme, më pas dalin dhe i akuzojnë se nuk e paskan vendosur në rend të parë interesin publik.
Të paaftë në qeverisje. Fundin e keni afër!