Lajme

Krasniqi e LDK-së: Përfshirja e Osmanit në dialog nënkupton që Kurti ka qenë i paaftë

05/31/2023 19:35
nga:G C

Deputetja e LDK-së, Rrezarta Krasniqi ka folur rreth takimit të 1 qershorit ku Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka njoftuar, së bashku me kancelarin gjerman, Olaf Scholz, do të bisedojë me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmanin, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiqin.

Krasniqi në një prononcim për GazetaBlic tha se, përfshirja e presidentes Osmani në dialog nënkupton nevojën për të treguar rezultat në këtë çështje, pasi sipas saj kryeministri Kurti ka qenë i paaftë.

“Meqë dialogu tash e disa kohë ka stagnuar, ndërrimi i pozicioneve apo përfshirja e presidentës Vjosa Osmani, në dialog nënkupton nevojën për të treguar rezultat në këtë çështje me qenë se Kryeministri Kurti ka qenë i paaftë për të përmbushur objektivat e vendit, në procesin dialogues”, tha Krasniqi.

Krasniqi kritikon Kurtin për qasjen e tij duke thënë se ka shkelur mbi çdo parim e premtim që e ka pasur për sa i përket dialogut.

Sipas Krasniqit, tash na mbetet të presim se çfarë do të bëjë presidentja Osmani, teksa nuk e përjashton faktin se mund të ketë vazhdimësi të asaj se çfarë ka bërë kryeministri Kurti.

“Për me keq, ai ka shkelur mbi çdo parim e premtim që e ka pasur për sa i përket dialogut. Tani, mbetet të shihet se cili do të jetë roli i Presidentës Osmani, do të bëjë diçka ndryshe dhe konform interesit të vendit, apo vazhdimësi e asaj çfarë ka bërë Kurti”, tha Krasniqi për GazetaBlic.

Ndryshe, Macron e bëri të ditur lajmin për takim gjatë një fjalimi në konferencën GLOBSEC të mbajtur në Bratislavë.

Në këtë konferencë për Siguri Globalë po merr pjesë edhe Kurti, i cili u takua aty me përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, dhe të dërguarin e BE-së për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak.

Këto takime do të zhvillohen ndarazi mes presidentit francez dhe kancelares gjermane me liderët e Kosovës dhe Serbisë.

Takimet do të organizohen në margjinat e samitit të Komunitetit Politik Evropian në kryeqytetin moldav, Kishinau.

Gjatë ditës, ai kishte thënë se autoritetet e Kosovës “mbajnë përgjegjësi për trazirat, të cilat janë rritur ndjeshëm” në veri të Kosovës, prej se kryetarët e rinj shqiptarë morën detyrën në komunat me shumicë serbe.

Qëndrimi i presidentit francez është në bashkërendim me deklaratat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe vendeve tjera të QUINT-it, të cilat e bënë Qeverinë e Kosovës fajtore për tensionimin e situatës në veri të vendit.

Reagimet ndërkombëtare erdhëm pas aksioneve të Policisë së Kosovës, më 26 maj, në tri komunat në veri të Kosovës, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq, për të siguruar qasjen në objektet komunale të kryetarëve të ri të këtyre tri komunave.

Macron konfirmon takimet me Osmanin, Vuçiqin dhe Scholzin në Moldavi