‘Krahu i të pakënaqurve’ të cilët kanë dhënë dorëheqje nga funksionet e tyre brenda Lëvizjes Vetëvendosje, kanë nisur diskutimet për krijim e një Grupi të ri Parlamentar.
Kështu ka bërë të ditur për “Gazeta Blic” një burim i afërt me ‘Krahun e të dorëhequrve’. Sipas këtij burimi, ky grup i deputetëve kanë filluar të zhvillojnë takime edhe në zyra të ndara prej Grupit Parlamentar të VV-së.
“Ka disa ditë që deputetët e dorëhequr nga Vetëvendosje po zhvillojnë takime të ndara me Grupin Parlamentar të VV-së. Ata po mblidhen në zyra të deputetit Dardan Molliqaj. Përveç kësaj, tashmë kanë nisur edhe diskutimet e para rreth mundësisë së krijimit të një Grupi të ri Parlamentar”, tha burimi i njëjtë për “Gazeta Blic”.
Deputetja e Kuvendit të Kosovës, që ende është pjesë e Grupit Parlamentar të VV-së Shqipe Pantina, nuk që në gjendje të mohoj por as pohoj, se kanë nisur diskutimet për formimin e një Grupi të ri Parlamentar, megjithëse u shpreh se në momentin që do të ketë diçka konkrete do të bëjnë ditur për opinonin.
“Në momentin që ne e marrim vendimin për të formuar një Grup Parlamentar ne do ta bëjmë publike, por për momentin asgjë konkrete nuk ka”, tha ajo për “Gazeta Blic”

Ndërkaq takimet në zyra të ndara, deputetja Pantina, i ka arsyetuar me atë se janë numer i madh i deputetëve dhe nuk mund të qëndrojnë në një zyrë.
“Si grup asnjëherë nuk ka zyre, Vetëvendosje e ka zyrën e shefit të grupit parlamentar të cilën e kemi përdor, e po ashtu është edhe zyrja e kryetarëve të komisionit, ne ato zyra i kemi shfrytëzuar dhe duke qenë se zyra është e vogël për t’i zënë të gjithë deputetët, disa prej tyre kanë përdorur edhe zyrat e tyre. Unë personalisht punët I kryj prej shpisë, në zyre asnjë herë nuk kam shkuar për të punuar, përveç ndonjë takim kur e kemi mbajtur”, tha ajo.
Më tej, e pyetur për votën e saj si deputete për marrëveshjen për demarkacion të kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, Pantina tha se do të jetë kundër pavarësisht plotësim-ndryshimit të bërë nga Qeveria e Kosovës, pas ankes marrëveshjes së arritur ndërmjet dy shteteve në nivel presidentësh.
“Unë nuk e kam parë marrëveshjen e re, nuk e di çfarë ka në te. Por unë mendoj se ajo marrëveshje është e dëmshme dhe si të tillë nuk mund të votoj”, tha në fund ajo.
Zhvillimet e kohëve të fundit në Lëvizje Vetëvendosje, kanë bërë që të dalin në sipërfaqje ‘telashe’ të mëdha brënda këtij subjekti politik. Ato rezultuan edhe me dorëheqjen e dhjetëra zyrtarëve të lartë nga kjo parti, duke nisur nga ish-drejtuesi i saj Visar Ymeri, ish-anëtarja e kryesisë, Aida Dërguti, ish-sekretari Dardan Molliqaj e të tjerë.
Vetëvendosje formalisht është ndarë në dy tabore të cilat në opinion po njihen si “grupi i Molliqajt” dhe “grupi i Kurtit”./Gazeta Blic/