Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mbajti mbledhjen e 61-të në vitin 2024, të kryesuar nga kryesuesi i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi.
Në këtë mbledhje, KQZ miratoi propozimin për hapjen e kutive postare për procesin e votimit jashtë Kosovës. Me qëllim të ofrimit të mundësisë për votim për shtetasit që regjistrohen suksesshëm dhe që zgjedhin mënyrën e votimit duke dërguar fletëvotimin në kutinë postare jashtë Kosovës, KQZ do të kërkojë nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës hapjen e nga një kutie postare në këto shtete: Australi, Austri, Belgjikë, Çeki, Danimarkë, Francë, Gjermani, Holandë, Hungari, Itali, Kanada, Kroaci, Mal i Zi, Maqedonia e Veriut, Norvegji, SHBA, Shqipëri, Slloveni, Suedi, Turqi, Mbretëria e Bashkuar dhe Zvicër.
Sipas Ligjit nr. 08/L-288 për Zgjedhjet e Përgjithshme, gjatë periudhës së aplikimit për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës, votuesit mund të votojnë duke u përcaktuar individualisht për mëyrën e votimit:
1. Të votojë fizikisht në njërën nga përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës;
2. duke dërguar fletëvotimin përmes postës në kutinë postare të KQZ në Kosovë;
3. duke dërguar fletëvotimin përmes postës në një nga kutitë postare të hapura nga KQZ jashtë Kosovës.
Andaj, vendimi i mbledhjes së KQZ-së është i lidhur drejtpërdrejtë me mënyrën e votimit sipas pikës 3, për të cilën janë përcaktuar shtetasit jashtë Kosovës, në momentin e regjistrimit: Duke dërguar fletëvotimin përmes postës në një nga kutitë postare të hapura nga KQZ jashtë Kosovës.
Në vazhdim të mbledhjes, KQZ mori edhe disa vendime në kuadër të përgatitjeve për organizimin e Zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 9 shkurt 2025, siç janë:
• Vendim për miratimin e nominimeve për emrimin e dy anëtarëve në Komisionin Komunal të Zgjedhjeve në komunën e Parteshit;
• Vendim për miratimin e zëvendësimit dhe emërimit të anëtarit në Komisionin Komunal të Zgjedhjeve në komunën e Lipjanit;
• Vendim për miratimin e specifikave teknike për doracak të trajnimit për Zgjedhjet për Kuvedin e Kosovës, 9 shkurt 2025 dhe për Zgjedhjet Lokale 2025;
• Vendim për miratimin e specifikave teknike për shtypjen e distinktivëve për Zgjedhjet për Kuvendin,9 shkurt 2025 dhe për Zgjedhjet Lokale 2025.