Lajme

KQZ-ja sqaron pse po kërkon shtyrjen e kufizimit të lëvizjes në ditën e zgjedhjeve

11/26/2020 15:32
nga:Y I

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka sqaruar se përse ka kërkuar që të zgjatet orari i lëvizjes në komunën e Podujevës dhe të Mitrovicës së Veriut, të cilat aktualisht janë në zonën e kuqe dhe masat kufizuese të lëvizjes fillojnë në orën 19:00.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka treguar  se ky institucion e ka përcjell shkresën në Ministrinë e Punëve të Brendshme përmes së cilës kërkohet nga institucionet që merren me zbatimin e masave kufizuese kundër përhapjes së Covid-19 për të zgjatur orarin e lëvizjes për votuesit, stafin zgjedhor dhe vëzhguesit.

Sipas tij, kjo kërkesë është bërë që të shmangen gjobat për votuesit.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka kërkuar zgjatjen e orarit të lëvizjes në këto dy komuna sepse jemi të vetëdijshëm se në kohën kur fillon kufizimi i lëvizjes mund të ketë qytetarë të cilët mund të jenë duke u kthyer në shtëpitë e tyre pasi kanë votuar”.

“Gjithashtu, zgjatje e orarit të lëvizjes është i nevojshëm edhe për stafin zgjedhor dhe vëzhguesit, të cilët do të qëndrojnë në vendvotime deri në përfundimin e numërimit të fletëvotimeve dhe të gjitha procedurave të parapara me ligj”, tha Elezi.

Ndërkaq, në lidhje me deklaratën e transmetuar nga mediat të Ministrit të Shëndetësisë, Armend Zemaj për çështjen e orarit të votimit, KQZ ka sqaruar se ky orar është i caktuar me ligj.

“Çështja e orarit të votimit është e përcaktuar me Ligjin mbi Zgjedhjet e Përgjithshme, respektivisht në nenin 88, sipas të cilit Qendrat e Votimit hapen në orën 07:00 dhe mbyllen në orën 19:00″.

“Po ashtu, ligji ka përcaktuar edhe procedurat tjera që zhvillohen në vendvotim pas përfundimit të procesit të votimit. Një nga to është numërimi i fletëvotimeve në po ato vendvotime ku janë hedhur”, tha Elezi. /EO/