Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka mbajtur mbledhjen e radhës në të cilën ka marrë disa vendime.
Në fillim të mbledhjes, anëtarët e KQZ-së u njoftuan se më 7 dhe 8 prill janë pranuar dorëheqjet e katër përfaqësuese të subjektit politik Lista Serbe nga Komisionet Komunale të Zgjedhjeve për komunat Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut, dhe dorëheqjen nga përfaqësuesi i subjektit politik GI SPO nga komuna e Mitrovicës së Veriut, të cilët ishin emëruar më parë nga KQZ për procesin e votimit për apo kundër largimit të kryetarëve nga funksioni i tyre në këto komuna, raporton RTKlive.
Pas pranimit të këtyre dorëheqjeve, SKQZ u ka dërguar këtyre dy subjekteve politike kërkesën për zëvendësimin e anëtarëve të dorëhequr nga Komisionet Komunale të Zgjedhjeve.
KQZ mori vendim për akreditimin e grupit të parë prej 18 vëzhguesve, të cilët do të mund të përcjellin nga afër procesin e votimit më 21 prill dhe procedurat tjera deri në certifikimin e rezultatit përfundimtar.
Afati për aplikim për akreditimin e vëzhguesve të subjekteve politike të kryetarëve aktual, OJQ-ve vendore/ndërkombëtare dhe mediave do të përfundojë më 15 prill 2024.