Lajme

KPM refuzon kërkesën për ndryshim të pronësisë nga “Radio Shqip FM” tek “Klan Kosova”

07/17/2023 21:51
nga:G B

Të hënën, në mbledhjen e katërt të Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM) është refuzuar kërkesa për ndryshim të pronësisë nga “Radio Shqip FM” tek “Klan Kosova”.

Fillimisht, kryetari i KPM-së Jeton Mehmeti tha se me 21 dhjetor 2021, është kërkuar miratimi për ndryshimin e pronësisë dhe bartjen e licencës të “Radio Shqip FM”, nga biznesi individual Asdren Agushi tek biznesi “Klan Kosova”, me pronar juridik KGO Media Investments Sh.P.K., raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Ndërsa ky biznes ka për pronar personin juridik KGO Media Investment Dooel, me seli në Shkup dhe me person fizik si pronar Kushtrim Gojani”, tha tutje Mehmeti.

I njëjti theksoi se kërkesa është bërë para dy viteve, se nuk kanë qenë disa prej anëtarëve të KPM-së që janë tani dhe se ky rast nuk është shqyrtuar deri më sot.

Ndërsa, tha se arsyetimet të cilat janë dhënë mund të kenë qenë valide për atë kohë.

Ndër të tjera, Mehmeti tha se z. Gojani paraqitet me dokumente të cilat mohojnë shtetësinë e Kosovës.

“Në bazë të biznesit te regjistruar në Republikën e Maqedonisë, figuron si shtetas i Serbisë me vendbanim “Gjakovica”, shtoi Mehmeti.

Pas diskutimeve në këtë mbledhje,  Mehmeti ka propozuar që të refuzohet kërkesa për ndryshim të pronësisë nga “Radio Shqip FM” tek “Klan Kosova”.

Sipas tij, dokumentacioni përmban një qasje të re për një koncentrim medial, për të cilën tha se është në kundërshtim me frymën dhe politikën transmetuese të KPM-së.

Gjithashtu, ai tha se përmban një certifikatë jo valide ose të pezulluar të biznesit, duke shtuar se “përmban dokumentacionin që pronari fundor tregojnë që është në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës”.

Pro këtij propozimi kanë votuar, kryetari Jeton Mehmeti, nënkryetari Fatih Basha, si dhe dy anëtaret Azra Desic dhe Luljeta Aliu – Krasniqi, ndërsa nuk ka pasur asnjë votë kundër e asnjë abstenim.

Më pas, Mehmeti ka kërkuar nga zyra që të gjitha këto të përpilohen me shkrim dhe pastaj të dërgohen për nënshkrim të vendimit, duke theksuar se vendimi merret sot.

Ndërkaq, në këtë mbledhje KPM ka licencuar 14 kanale të ISP Broadcast, konkretisht “ARB Aksion”, “ARB Aventura”, “ARB Film”, “ARB Hits”, “ARB Komedi”, “ARB Max”, “ARB Mrekulli”, “ARB Nostalgjia”, “ARB Premier”, “ARB Shqip”, “ARB Triller”, “Arbëria”, “Florinjët” dhe “Sport ALB”.

Gjithashtu, me 4 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim kanë kaluar edhe rekomandimi për licencimin e opretatorit të shpërndarjes “Open Tel”,  rekomandimet për ri-përtëritje të licencës për “Radio Gjilani”, “OSHMA MBTV”, si dhe rekomandimi për ri-përtëritje të licencës së operatorit të shpërndarjes “PP KDS Telestar IC”.

Ndërkaq, rekomandimi për “A2 CNN Kosova”, është vendosur që të shtyhet për mbledhjen e radhës.

Gjithashtu, KPM ka miratuar kërkesën e “TV EHO”, “Swiss Plus – 1 SHPK “, “OSHMA 1 TV” “Comnet – A SHPK”, “OSHMA Premier Songs”, për ndërprerjen e licencës.

Mirëpo, është kërkuar që të shtohet një paragraf i cili ia përkujton palëve që borxhet që i kanë ndaj KPM-së nuk do t’u falen, por që do të vazhdohet me procedura tjera të përmbarimit.

Ndërsa, sa i përket konkursit publik për radio në Komunën e Pejës dhe Prizrenit, KPM ka refuzuar kërkesat e kandidatëve për shkak të mungesës së dokumentacionit përkatës, si dhe ka votuar pro ri-shpalljes së këtij konkursi për këto dy lokacione, për gjuhën boshnjake dhe gjuhën turke.

Gjithashtu, një ndër pikat e kësaj mbledhje ishte edhe çështja e subjekteve që kanë borxhe ndaj KPM-së.

Në lidhje me këtë, KPM ka marrë vendim që i obligon të gjithë të licencuarit të cilët kanë borxhe të papaguara të sjellin në KPM një marrëveshje brenda 30 ditëve, në bazë të cilës ofrojnë një dëshmi se kanë bërë programin për pagesën e borxheve për një periudhë 12 mujore.

Po ashtu, KPM ka marrë vendim përmes së cilit do të nxirret në diskutim publik draft rregullorja për zgjedhjen e kryeshefit Ekzekutiv, pasi që të adresohen komentet nga anëtarët së bashku me zyrën ligjore.

Ndërkaq, KPM ka miratuar edhe dy raportet tre mujore të punës, konkretisht për periudhën janar-mars dhe prill-qershor 2023.