Sporti

Kosovë – Maqedoni, organizimi më i dobët i vitit

09/13/2018 23:03
nga:Lorik J

E tmerrshme, e shpifur dhe asgjë profesionale. Kështu mund të përshkruhet më së miri ndeshja Kosovë – Maqedoni, e zhvilluar në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë.

Sot me fillim nga 20:30 në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë u zhvillua përballja në mes Kosovës dhe Maqedonisë, në kuadër të raundit të dytë të parakualifikimeve për FIBA Eurobasket 2021, me ç’rast Maqedonia fitoi duelin me rezultatin e ngushtë 76-73, shkruan GazetaBlic.

Mirëpo ajo që ra në sy nga të gjithë të pranishmit, ishte padyshim organizimi i tmerrshëm nga Federata e Basketbollit të Kosovës.

Ndoshta asgjë nuk shkoi ashtu siç u paramendua. Fillimisht gazetari i sportit në ‘GazetaBlic‘ nuk u lejua të hy në palestër, duke iu thënë se hyrja për gazetarë bëhet nga ana e tifozëve, kurse më pas u ndalua edhe nga ajo hyrje. Në tentimin e fundit, në orën 20:30 gazetari u lejua të përcjell ngjarjen nga afër, pas 25 minutave lutje dhe malltretim.

Me të hyrë në palestër – ndodhi ajo që më së paku u prit. Vendi për mediat ishte rezervuar në pjesën veriore të palestrës, ku është e pamundur të përcillet një ngjarje, për shkak të pozicionimit të kamerës. Gjithashtu përveç kësaj, shumë gazetarë dhe tifozë të kombëtares ishin duke qëndruar shumë afër vijës kufizuese së parketit, gjë që assesi nuk duhet të lejohet.

Se asgjë nuk ishte korrekt në këtë duel, ‘konfirmohet’ edhe nga reperi i njohur kosovar, Majk, i cili gjithashtu ishte prezent në palestër për ta shikuar kombëtaren, por ashtu sikurse ne mbeti pa u ulur edhe pse kishte paguar biletën V.I.P.

“Loja e basketbollit Kosovë – Maqedoni, organizimi më i dobët që e kam pa najher, paguan 10 euro biletë dhe ski ku të ulesh. 10 eurot që i kam hargjuar më së koti najher”, shkruan reperi në Instagram.

Shpresojmë në ndeshjet e ardhshme do të përmirësohet niveli i organizimit nga FBK-ja dhe të mos ndodhin gjëra të tilla – të tmerrshme.

/GazetaBlic/L.J/