Sporti

Kosovare Asllani shënon gol të bukur në Botëror

06/12/2019 13:53
nga:Ideal

Kosovare Asllani u shpall lojtarja më e mirë e ndeshjes mes Kilit dhe Suedisë, e cila u zhvillua në kuadër të Kampionatit Botëror të grave, që po zhvillohet aktualisht në Francë.

Pasi Suedia ia ndërtoi një statujë për nder të arritjeve të saj në futboll, Kosovare Asllani ia ktheu këtë me një gol të rëndësishëm në ndeshjen e djeshme kundër Kilit.

As Suedia e as Kili s’e kishin gjetur golin e parë deri në minutën e 82-të të ndeshjes, mirëpo Asllani u sigurua që tre pikët e para për këtë Botëror t’i shkojnë pikërisht Suedisë.

“Një fitore shumë e rëndësishme, ju lumtë skuadër”, shkroi Asllani në Instagram pas ndeshjes.

Ndeshja përfundoi me rezultat 2:0, pasi që edhe Madelen Janogy arriti ta shënojë një gol tjetër dhe ta dyfishojë epërsinë e Suedisë në këtë përballje me Kilin.

Me këto tre pikë të fituara, Suedia radhitet në pozitën e dytë në Grupin F të Kampionatit Botëror. Para Suedisë janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, po ashtu me tre pikë, por me diferencë më të madhe të golave.