Lojërat Olimpike padyshim që janë kryefjala e suksesit të Kosovës në sport.
Me xhudistet kosovare që po vazhdojnë të sjellin suksese të njëpasnjëshme, tani Kosova arkëton 5 medalje në tri pjesëmarrje në “Lojërat Olimpike”.
Rrugën e para e hapi, Majlinda Kelmendi që me të artën e saj, inspiroi të tjerët që të ndjekin hapat që ajo mori drejt suksesit në Rio 2016.
Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova pasuan Kelmendin me të arta në Lojërat Olimpike në Tokio 2020, teksa në Lojërat Olimpike të Parisit edhe pse pa të artë, Kosova ka siguruar dy medalje olimpike që vijnë pikërisht nga xhudo.
Distria Krasniqi me të argjendtë u bë sportistja e parë nga Kosova me dy medalje olimpike, teksa Laura Fazliu i siguroi Kosovës medaljen e parë të bronztë dhe të parën edhe për Majlinda Kelmendin në rolin e saj të ri si trajnere.
Të gjitha këto suksese padyshim që vijnë edhe me shpërblime.
Shteti i Kosovës ndanë shpërblime të majme për sportistët që sigurojnë medalje olimpike.
Sportistët që sigurojnë medaljen e artë olimpike shpërblehen me 100 mijë euro, teksa trajneri shpërblehet me 50 mijë.
Për medaljen e argjendtë olimpike sportisti merr 60 mijë euro, teksa për atë të bronztë shpërblehet me 40 mijë euro.
Poashtu pas triumfit në gara qoftë olimpike, botërore apo evropiane, sportistët marrin edhe për katër vitet në vazhdim mbështetje ekonomike që shkon deri në 1000 euro.
Megjithatë ky nuk është benificioni i vetëm pasi të gjithë sportistët që fitojnë medalje olimpike, marrin mbështetje të përhershme financiare nga shteti pas moshës 45 vjeçare.
/GazetaBlic Sport/