Lajme

Kosova do të hapë ambasadë në Emiratet e Bashkuara Arabe

01/08/2018 19:41
nga:M H

Në ditën e dytë të vizitës së tij zyrtare në Emiratet e Bashkuara Arabe, Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli, është pritur nga Ministri i Jashtëm dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar, Lartmadhëria e Tij, Sheikh Abdullah bin Zayed Al Nahyan.

Pacolli fillimisht e ka falënderuar Lartmadhërinë e Tij, Sheikh Abdullahun për përkrahjen e vazhdueshme që Emiratet e Bashkuara Arabe kanë bërë dhe po e bëjnë për Kosovën, jo vetëm në njohje, por edhe duke e përkrahur fuqishëm anëtarësimin e saj në Organizatat Ndërkombëtare.

Në funksion të kësaj, është diskutuar edhe sinkronizmi i punëve të përbashkëta për anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL, ku samiti i radhës i kësaj organizate do të mbahet në Abu Dhabi, njofton Klan Kosova.

Ministri i Jashtëm i EBA-s ka premtuar shtimin e angazhimit të tij edhe personal në çështjet që ndërlidhen me forcimin e subjektivitetit dhe integrimit të mëtutjeshëm ndërkombëtarë të Kosovës.

Hapja e Ambasadës së Republikës së Kosovës në EBA, ka qenë një temë tjetër diskutimi në aspektin politik dy-palësh, dhe është rënë dakord, që Ministria e Jashtme e Kosovës t’i fillojë procedurat e hapjes së Ambasadës së Kosovës në Abu Dhabi që nga java e ardhshme.

Pacolli përmes homologut të tij, i ka bërë thirrje investitorëve potencial nga EBA për të investuar në Kosovë, gjë e cila është mirëpritur dhe vlerësuar nga bashkëbiseduesi.

06/24/2018 15:04

Takimi Thaçi – Vuçiq pritet të fillojë pas pak minutash!