Sporti

Kosova shumë e suksesshme në Kampionatin Ballkanik të boksit, kthehet me 5 medalje

12/14/2019 23:14
nga:Mergim Rreci

Një e artë, dy të argjendta dhe dy të bronzta është numri i medaljeve të fituara nga Kombëtarja e Kosovës në boks në Kampionatin Ballkanik “Antalia 2019”, që prej 10 dhjetorit e deri sot u mbajt në Antalia të Turqisë.
Medaljen e artë e fitoi Donjeta Sadiku, e cila sot në finale mposhti turken Sema Caliskan, në kategorinë -64 kg. Caliskan këtë vit kishte fituar medaljen e bronztë në kampionat botëror.

Sot në finale u mposhtën Shpejtim Bajoku (-63 kg) dhe Besart Pireva (-75 kg), të cilët u stolisën me medaljen e argjendtë.

Të bronztën e fituan Patriot Behrami (-69 kg) dhe Bashkim Bajoku (-52 kg).

Kosova u paraqit me pesë boksierë dhe trajnerët Shefki Bogujevci dhe Besim Brahimi.Drejtësinë e ndau edhe gjyqtari ndërkombëtar, Latif Demolli.